
Numërimi i votave të ardhura nga diaspora po ndikon ndjeshëm në rezultatin zgjedhor në Kosovë.
Sipas të dhënave paraprake, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka siguruar tri mandate shtesë falë mbështetjes së votuesve jashtë vendit, ndërsa procesi i numërimit ende nuk ka përfunduar.
Rezultatet përfundimtare pritet të qartësojnë ndarjen finale të ulëseve në Kuvend, por trendi aktual tregon një rritje të përfaqësimit të LVV-së.
Deri më tani, votat e diasporës i kanë sjellë kësaj partie tri mandate shtesë, duke forcuar pozitën e saj në legjislaturën e ardhshme.
Ndërkohë, ndryshimet në shpërndarjen e mandateve kanë prekur partitë e tjera. Në dy rastet e mëparshme, LVV fitoi mandate në kurriz të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), e cila aktualisht projektohet me 23 ulëse, dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), me 19 ulëse.
Sipas projeksioneve të fundit, një mandat e ka humbur edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), e cila ka rënë në shtatë ulëse nga tetë sa kishte në projektimin paraprak.



