Në katër komunat në veri të Kosovës, Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok, do të mbahen seancat konstituive, gjatë të cilave kryetarët e rinj nga Lista Serbe do të marrin përsëri pushtetin lokal.
Seanca konstituive do të zhvillohen gjithashtu edhe në komunat Graçanicë, Novobërdë, Partesh, Ranillug, Shtërpcë dhe Kllokot, ku pritet që kryetarët dhe asamblistët e zgjedhur të bëjnë betimin para simboleve të Republikës së Kosovës.
Ndryshe, seancat konstituive mbahen pas certifikimit të zgjedhjeve lokale nga KQZ. Zgjedhjet lokale janë mbajtur më 12 tetor.
Millan Radojeviç në Mitrovicë të Veriut, Zoran Todiq në Leposaviq, Dragisha Milloviç në Zveçan dhe Millosh Peroviç në Zubin Potok.
Këto komuna me shumicë serbe janë udhëhequr nga kryetarë shqiptarë që nga maji i viti 2023, pasi ata nga Lista Serbe kishin dhënë dorëheqjen në nëntor të vitit 2022 si pjesë e largimit kolektiv të serbëve nga institucionet, në shenjë kundërshtimi me vendimet e Qeverisë së Kosovës.
Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit, gjatë fushatës parazgjedhore për zgjedhjet lokale, kishte pranuar se kishte gabuar kur ishte larguar nga institucionet dhe kishte theksuar se ky vendim ishte marrë për të tërhequr vëmendjen e komunitetit ndërkombëtar mbi “gjendjen e vështirë” të serbëve.



