Për herën e 51-të ka dështuar konstituimi i Kuvendit të Kosovës, ku sot nuk pati asnjë votim.
Në një situatë të pazakontë, deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka ndërhyrë duke iu afruar kryesuesit të Kuvendit, Avni Dehari, dhe ka refuzuar ta vazhdojë seancën pa ia ndezur mikrofonin.
Si rezultat, Dehari shpalli se nuk kishte kushte për vazhdimin e seancës.
Sipas parashikimeve, Komisioni për votimin e fshehtë nuk ka mundur të fillojë punën dhe seanca e radhës është caktuar për të premten në orën 11:00.
Ky është hapi i 51-të i dështuar pas përpjekjeve të shumta që kanë vazhduar për disa muaj me radhë.
Kjo ngjarje vjen në një moment delikat, pasi ka mbetur vetëm tri ditë afat deri në përfundimin e aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, i cili kërkon konstituimin e Kuvendit.
Pavarësisht aktgjykimit të Gjykatës Supreme, i cili ka konstatues se kryeministri Albin Kurti dhe ministrat e zgjedhur si deputetë nuk mund të ushtrojnë funksione ekzekutive njëkohësisht, Partia Vetëvendosje (VV) ka refuzuar të ndryshojë qëndrimin e saj dhe vazhdon të mbajë të njëjtën linjë, duke bllokuar përpjekjet e opozitës për një zgjidhje.
Kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, ka vijuar me refuzimin e zbatimit të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me votimin e fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.
Ai ka ndërprerë disa herë fjalën e deputetëve të PDK-së, LDK-së dhe AAK-së, të cilët kanë kërkuar fjalën në foltore.
Pas dështimit të kësaj tentative, Dehari njoftoi se përpjekja e radhës për konstituimin e Kuvendit do të bëhet të premten në orën 11:00. Megjithatë, afati 30 ditor i caktuar nga Gjykata Kushtetuese për të konstituuar Kuvendin po afron dhe kjo mund të ketë pasojë të tjera ligjore për shtetin.
Në aktgjykimin e fundit, Gjykata Kushtetuese ka kërkuar që Kuvendi të konstituohet brenda një muaji, me afatin përfundimtar që është 26 korriku.
Nëse ky afat kalon, mund të ndodhin pasoja për shkak të mospërmbushjes së detyrimeve kushtetuese.



