
Kuvendi i Kosovës pritet të mblidhet sot, e hënë nga ora 11:00, pas një bllokade disa mujore të shkaktuar nga mosmarrëveshjet politike.
Pikë kryesore e rendit të ditës për deputetët do të jetë shqyrtimi dhe miratimi i një Deklarate zyrtare lidhur me aktgjykimin e fundit të shpallur nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, i datës 16 shtator 2026.
Seanca pritet të nisë me miratimin e procesverbaleve nga seancat e mëparshme, konstituimin e komisioneve të reja parlamentare, si dhe me betimin e deputetëve të rinj.
Gjithashtu, një tjetër zhvillim i rëndësishëm në këtë seancë do të jetë edhe zgjedhja e nënkryetarit të ri të Kuvendit, post i cili i takon Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).
Kjo seancë vjen në një moment të nxehtë politik. Më 21 shtator, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dorëzoi zyrtarisht në Kuvend një projektligj për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, i cili tashmë është dërguar për mendim në Qeverinë e Kosovës.
Në dokumentin e ndryshimeve të propozuara nga PDK-ja, kërkohet që: Dënimet më të larta që mund të shqiptohen nga Gjykata e Hagës ndaj ish-krerëve të UÇK-së të kufizohen në maksimalisht 15 vjet burgim.
Të dënuarit nga ky institucion i drejtësisë të kenë të drejtë ligjore të jenë subjekt i faljes presidenciale nga Presidenti i Kosovës.



