
Pas më shumë se një muaji pauzë, Kuvendi i Kosovës do të mblidhet sot në orën 10:00 për të vijuar me seancën konstituive, e cila ka mbetur e papërfunduar që prej 15 prillit 2025.
Në njoftimin zyrtar të publikuar nga Kuvendi, theksohet se një nga pikat kyçe të rendit të ditës është “zgjedhja e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb”, një kërkesë kushtetuese që deri më tani nuk është realizuar.
Kjo lëvizje vjen pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila në aktgjykimin e saj të plotë konstatoi se: “Seanca konstituive e Kuvendit, e filluar më 15 prill 2025, nuk ka përfunduar si rezultat i moszgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e deputetëve të komunitetit serb, dhe si rrjedhojë, Kuvendi nuk është konstituuar në pajtim me nenin 66 (1), dhe nenin 67 (1 dhe 4) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.”
Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, kishte mbyllur seancën e fundit të mbajtur më 30 gusht, pa arritur zgjedhjen e nënkryetarit, duke e lënë procesin pezull për më shumë se një muaj.
Sot pritet që me vijimin e seancës, të përmbushet kërkesa kushtetuese dhe të përfundojë procesi i konstituimit të plotë të Kuvendit.



