
Kosova ka shpallur ditë zie shtetërore në nderim të jetës dhe veprës së akademikut Rexhep Qosja, i cili ndërroi jetë në moshën 89-vjeçare.
Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, bëri të ditur se dita e premte është shpallur ditë zie në të gjithë vendin, si shenjë respekti për figurën dhe kontributin e tij të jashtëzakonshëm.
Ndërkohë, nën përkujdesjen e Haxhiut, në Kuvend, po të premten do të organizohen homazhe përkujtimore dhe do të hapet Libri i Zisë në nderim të jetës dhe veprës së tij.
Familja e akademikut Rexhep Qosja ka publikuar të enjten letrën me të cilën ai kishte lënë amanet për nipin e tij që të kujdesej për ceremoninë e lamtumirës.
Në të, Qosja kishte kërkuar të varrosej pa ritual fetar dhe pa kurrfarë pranie zyrtare.
Familjarët kanë theksuar se, sipas dëshirës së të ndjerit, nuk do të organizojnë pritje familjare dhe nuk do të marrin pjesë në organizime institucionale.



