Për raundin e parë të zgjedhjeve lokale që do të mbahen më 12 tetor në Kosovë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur të shtypen 1.800.410 fletëvotime për zgjedhjen e kryetarëve të komunave.
Po aq fletëvotime, 1.800.410, do të prodhohen edhe për zgjedhjet për Kuvendet Komunale, ka njoftuar KQZ-ja.
Këto fletëvotime do të shpërndahen në të gjithë vendin, në përputhje me listat përfundimtare të zgjedhësve që do të miratohen në ditët në vijim.
“Në këtë numër përfshihen fletëvotimet për vendvotimet e rregullta, votimin me kusht, Votimin e Personave e Nevoja të Veçanta, fletëvotimet rezervë dhe për votimin me postë”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga KQZ-ja.
Në këtë proces zgjedhor, do të shtypen 13% fletëvotime më pak se numri i përgjithshëm i qytetarëve me të drejtë vote, që sipas Listës Votuese të certifikuar nga KQZ është: 2,069,098.
Sipas të dhënave nga lista votuese, KQZ-ja ka njoftuar se numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime, në Kosovë është dy milionë e 25mijë e 105 votues, ndërkaq numri i qytetarëve që janë regjistruar për të votuar me postë nga jashtë Kosovës është 43,993 votues.
“Procesi zgjedhor në Republikën e Kosovës, do të organizohet në 938 Qendra të Votimit me gjithsej 2,625 vendvotime, prej të cilave 910 Qendra të Votimit për votimin e rregullt me 2,571 vendvotime dhe 38 Qendra të Votimit për votimin me kusht me gjithsej 54 vendvotime”, është bërë e ditur më tej.



