Vrasja e Arlinda Zekaj/ Jep dorëheqjen Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha

Vrasja e Arlinda Zekaj/ Jep dorëheqjen Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka dhënë dorëheqjen sot nga posti i tij.

 

Ky vendim vjen pesë ditë pas vrasjes tronditëse të Arlinda Zekajt, një ngjarje që shkaktoi reagime të ashpra publike, protesta masive dhe kërkesa të shumta për llogaridhënie institucionale.

 

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka pranuar dorëheqjen dhe e ka liruar Hoxhën nga detyra. Me propozim të ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në vend të tij si ushtrues detyre i drejtorit të përgjithshëm është caktuar menjëherë Fehmi Hoti.

 

Zyra e Kryeministrit, përmes një njoftimi zyrtar, u shpreh se “Qeveria e Republikës së Kosovës e çmon kontributin dhe angazhimin e z. Hoxha përgjatë mandatit të tij."

 

Edhe pse ekzekutivi nuk specifikoi arsyet zyrtare të largimit dhe vetë Hoxha nuk ka dhënë ende një koment, dorëheqja e tij lidhet drejtpërdrejt me presionin e madh mbi institucionet e sigurisë dhe drejtësisë për dështimin në parandalimin e vrasjes së Zekajt nga ish-kunati i saj.

 

Dorëheqja e kreut të policisë pason një sërë masash drastike të ndërmarra vetëm një ditë më parë, ku u pezulluan nga detyra 11 zyrtarë policorë të përfshirë në trajtimin e rastit në rajonin e Pejës. 

 

Ndër të pezulluarit kryesorë janë ushtruesi i detyrës së drejtorit rajonal të Policisë në Pejë, shefi i hetimeve rajonale, komandanti dhe zëvendëskomandanti i stacionit policor dhe katër hetues dhe drejtues të tjerë të policisë.

 

Masat ndëshkimore kanë prekur edhe sistemin e drejtësisë.

 

Këshilli Prokurorial ka pezulluar kryeprokuroren e Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj, si dhe prokuroren e çështjes, Arlinda Nallbani Gacaferri.

 

Vrasja e Arlinda Zekajt ka ngritur në këmbë qytetarët në Prishtinë dhe qytete të tjera të Kosovës, të cilët përmes protestave të organizuara kanë kërkuar reformë të thellë dhe përgjegjësi nga organet ligjzbatuese që dështuan të mbrojnë jetën e viktimës.

 

Hoxha largohet nga drejtimi i Policisë pas më shumë se tre vjetësh e gjysmë në këtë pozitë.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy