Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka dorëzuar sot komentet e saj zyrtare në Gjykatën Kushtetuese, lidhur me ankesën e paraqitur nga Lista Serbe, që ka të bëjë me përfaqësimin e tyre në postin e nënkryetarit të Kuvendit.
Në një konferencë për media, Osmani theksoi se vendimmarrja për moskonstituimin e Kuvendit për shkak të moszgjedhjes së një nënkryetari, përbën një kërcënim të drejtpërdrejtë për funksionalitetin institucional dhe cenon themelet e shtetësisë së Kosovës.
Është vlerësim i ynë që ushtrimi i kësaj të drejte që nëpërmjet të cilës po pretendohet të bllokohet kuvendi dhe konstituimi i tij cenon të drejtat e të gjithë deputetëve të tjerë, duke ua mohuar atyre ushtrimin dhe funksionin e tyre në një kuvend të konstituar dhe po ashtu i cenon të drejtat e të gjitha qytetarëve të Kosovës pa dallim etnie po dallimi tjetër.
Po synohet që për një nënkryetar të bllokohet shteti në tërësi, sepse një shtet pa institucione është shtet i dështuar dhe është detyrim i secilit prej nesh që ta bllokojmë çdo synim për të arritur qëllimin e dështimit të Republikës së Kosovës.
Presidentja shtoi se Kryesia e Kuvendit ka kuorum dhe se Kuvendi ka zgjedhur kryetarët në përputhje me Kushtetutën, ndaj një bllokim nuk duhet të ndodhë.
Ajo paralajmëroi se një precedent i tillë do të krijonte hapësirë për shantazhe të vazhdueshme politike, ku një pozitë ndihmëse brenda Kuvendit mund të përdoret si mjet për bllokim të proceseve demokratike dhe kushtetuese në vend.
Presidentja tha gjithashtu se institucionet kushtetuese të Kosovës nuk mund të mbahen peng, dhe theksoi se përfaqësimi i komuniteteve është i garantuar, por nuk mund të shndërrohet në një instrument për paralizimin e shtetit.
Ne kemi kërkuar nga Kushtetuesja që të mos lejojë që kushdo të ketë të drejtën e vetos mbi proceset jetike të shtetit. Veto mbi Republikën nuk ka qenë asnjëherë qëllim i hartuesve e themeluesve të Kushtetutës. Duke ia dhënë një veto të tillë një partie, Republika do të zhvleftësohej në një copë letre në vend se të ishte në veprim të mbrojtjes së interesit të qytetarëve. Është në duart e Gjykatës ta mbrojë shtetin.



