Tre zyrtarë të Komunës së Prishtinës janë arrestuar nën dyshimin për marrje ryshfeti, ndërsa njëri prej tyre është kapur në flagrancë.
Mediat në Kosovë raportojnë se dy prej të arrestuarve, me inicialet D.G. dhe B.S., janë zyrtarë të Drejtorisë së Shërbimeve Publike.
Sipas burimeve, rasti lidhet me marrjen e ryshfetit nga një pronar kompanie në këmbim të favorizimit në një tender publik.
“Janë shoqëruar tre persona për marrje ryshfeti. Ata janë zyrtarë të Komunës së Prishtinës, ndërsa njëri prej tyre është zënë në flagrancë,” ka deklaruar Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi,
Ai bëri të ditur se aksioni është ndërmarrë pas hetimeve të fshehta të zhvilluara së fundmi, ndërkohë që hetimet dhe procedurat ligjore ndaj të gjithë të përfshirëve do të vijojnë.



