DASH: Dialogu Strategjik me Kosovën do të nisë pasi të përmbushen kushtet dhe zotimet ndaj serbëve

DASH: Dialogu Strategjik me Kosovën do të nisë pasi të përmbushen kushtet dhe zotimet ndaj serbëve

SHBA deklaruan se janë në pritje të krijimit të kushteve për nisjen e Dialogut Strategjik me Kosovën, duke theksuar se mes tyre është edhe përmbushja e zotimeve të Prishtinës ndaj komunitetit serb.

 

Në një përgjigje për REL, një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit rikujtoi se Dialogu Strategjik me Kosovën u pezullua në shtator të vitit 2025, "për një periudhë të pacaktuar", për shkak të shqetësimeve lidhur me veprimet e Qeverisë në detyrë.

 

"Ne mbetemi të përkushtuar për avancimin e interesave të përbashkëta të Shteteve të Bashkuara dhe popullit të Kosovës. Presim me padurim të zhvillojmë një Dialog Strategjik me Kosovën kur të krijohen kushtet e duhura, përfshirë përmbushjen nga Kosova të zotimeve të saj në raport me serbët e Kosovës", thuhet në përgjigjen e DASH-it.

 

Departamenti i Shtetit nuk dha një afat se kur mund të rifillojë Dialogu Strategjik dhe nuk specifikoi se cilët hapa konkretë pret nga autoritetet e Kosovës.

 

Deklarata vjen në të njëjtën ditë kur Uashingtoni zhvilloi rundin e parë të Dialogut Strategjik me Serbinë, një mekanizëm që synon thellimin e bashkëpunimit dypalësh në fushat e sigurisë, ekonomisë dhe politikës së jashtme.

 

"Nëpërmjet këtij dialogu, SHBA-ja dhe Serbia do të punojnë për arritjen e objektivave të përbashkëta, përfshirë paqen dhe stabilitetin rajonal, zgjerimin e lidhjeve në biznes dhe arsim, si dhe ndërtimin e një të ardhmeje më të begatë", tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit për REL.

 

Ambasada amerikane në Prishtinë njoftoi më 12 shtator 2025 se Shtetet e Bashkuara kishin pezulluar për një periudhë të pacaktuar Dialogun Strategjik me Kosovën.

 

Në atë kohë, ambasada sqaroi se vendimi ishte marrë për shkak të "shqetësimeve lidhur me veprimet e Qeverisë në detyrë", të cilat, sipas saj, kishin rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë, duke kufizuar aftësinë e SHBA-së për të bashkëpunuar në mënyrë produktive me Kosovën në prioritetet e përbashkëta.

 

Vendimi erdhi pasi autoritetet e Kosovës ndërmorën veprime ndaj institucioneve serbe që funksiononin në territorin e vendit. Ato gjithashtu kritikuan publikisht Gjykatën Kushtetuese lidhur me një vendim për mandatin e deputetëve.

 

Uashingtoni i cilësoi këto zhvillime si faktorë që rritën tensionet politike dhe vështirësuan bashkëpunimin, ndërsa Qeveria në detyrë e Kosovës argumentoi se veprimet e saj ishin "të ligjshme dhe kushtetuese".

 

Prej vitesh, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian i kërkojnë Kosovës të zbatojë marrëveshjet e arritura në dialogun me Serbinë, të ndërmjetësuar nga BE-ja.

 

Këto përfshijnë, ndër të tjera, themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe garantimin e një niveli vetëmenaxhimi për komunitetin serb, në përputhje me Marrëveshjen Bazë të vitit 2023 dhe Aneksin e Ohrit.

 

Po ashtu, Perëndimi kërkon që Kosova të zgjidhë çështjet e hapura me Kishën Ortodokse Serbe, të garantojë liritë fetare dhe të shmangë veprime të njëanshme në veri të vendit, të cilat, sipas Uashingtonit, kanë kontribuar në rritjen e tensioneve.

 

Nga ana tjetër, Kosova argumenton se zbatimi i marrëveshjeve duhet të jetë i ndërsjellë dhe se masat e ndërmarra në veri, nga ndalimi i përdorimit të dinarit serb deri te mbyllja e shumicës së institucioneve paralele serbe, kanë pasur për qëllim forcimin e sundimit të ligjit.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy