Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Glauk Konjufca, i ka dërguar një letër Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme, Kaja Kallas, lidhur me deklaratat e ministres serbe Snezhana Paunoviç, të cilat ai i ka cilësuar si thirrje për spastrim etnik në Kosovë.
Edhe pse Bashkimi Evropian reagoi përmes zëdhënëses së Komisionit Evropian, Anita Hipper, e cila deklaroi se në Evropë nuk ka vend për retorikë që justifikon apo promovon spastrimin etnik, Konjufca ka kërkuar një reagim më të fortë nga niveli i lartë i BE-së.
Në letrën drejtuar Kallasit, Konjufca kërkon që Bashkimi Evropian të dënojë qartë dhe publikisht deklaratat e ministres serbe, si dhe ta trajtojë çështjen në kuadër të dialogut politik BE–Serbi dhe procesit të anëtarësimit të Serbisë në Bashkimin Evropian.
Të japë një dënim të qartë, të fuqishëm dhe publik ndaj deklaratës së ministres Paunoviç dhe retorikës që, sipas tij, përfaqëson një qasje revizioniste.
T’u rikujtojë autoriteteve serbe se deklarata të tilla janë të papranueshme dhe në kundërshtim me vlerat evropiane dhe kriteret e procesit të integrimit në BE.
Ta ngrejë këtë çështje në kuadër të dialogut politik BE–Serbi dhe procesit të anëtarësimit, për t’i bërë të qartë Beogradit seriozitetin me të cilin trajtohen deklarata të tilla.
“Një deklaratë e tillë nga një ministre në detyrë nuk mund të trajtohet si gafë. E gjithë intervista ishte e mbushur me përmbajtje thellësisht revizioniste dhe armiqësore, duke pasqyruar një model më të gjerë deklaratash që vazhdojnë ta minojnë dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, shkroi Konjufca në letrën e tij.

Deklarata e ministres serbe për Administratën Shtetërore dhe Vetëqeverisjen Lokale, Snezhana Paunoviç, e bërë në televizionin serb “Kurir TV”, ka shkaktuar reagime të shumta.
Ajo u shpreh se, nëse do të ishte në vend të ish-presidentit jugosllav Sllobodan Millosheviç në vitin 1998, “do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën”.
Për këtë deklaratë ka reaguar edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, i cili tha se qëndrimi i ministres nuk përfaqëson politikën e presidencës apo të Qeverisë së Serbisë.



