Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, gjenerali Wesley Clark në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka deklaruar se nuk prova që UÇK-ja është prapa spastrimit etnik të serbëve.
Clark i mbetet besnik deklaratave të mëparshme se dhunën në verën dhe vjeshtën e vitit 1999 në Kosovë e shihte si një konflikt shumë personal mes fqinjëve, për të cilën udhëheqësit e UÇK-së nuk kishin përgjegjësi, raportojnë mediat në Kosovë.
I pyet për një deklaratë në gazetën Shekulli në vitin 1999, ku kishte thënë se nuk kishte prova se UÇK-ja ka kryer spastrim etnik të serbëve, Clark tha se “Unë nuk kam prova dhe dëshmi që UÇK-ja ishte prapa kësaj dhe kam indikacione që dëshmojnë të kundërtën. Po i referohem deklaratës ku pretendohet se 170 mijë serbë të jenë dëbuar nga Kosova”.
Prokurori Halling i bënte pyetje me këmbëngulësi Clarkut lidhur me deklarimet e tij para senatit amerikan më 1999 dhe 2000 lidhur me vendosjen e trupave paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë dhe shqetësimet e tij të shprehura asokohe se Serbia mund të tentonte të rikthehej në Kosovë.
Clark sqaroi për të se nuk mendonte se Serbia do të kthehej në Kosovë, por se si gjeneral ishte puna e tij të vlerësonte rreziqet dhe rrethanat e asaj kohe, “sepse ende nuk kishte një marrëveshje. Në fakt, nuk pati marrëveshje derisa Kosova u pavarësua më 2008”, u shpreh Clark.
Ndryshe, në ditën e parë të dëshmisë, ai tha se Thaçi s’e udhëhiqte UÇK-në dhe se ajo s’kishte zinxhir komandues.
Clark e udhëhoqi fushatën ajrore të NATO-s kundër caqeve ushtarake serbe në vitin 1999.
Dëshmia e Wesley Clarkut pritet të vazhdojë edhe në ditët e ardhshme.
Ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe ish-shefi i deputetëve të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, akuzohen për ndërmarrje të përbashkët kriminale lidhur me krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.



