Vendimi i Kushtetueses: Votimi për kryetar të Kuvendit të jetë i hapur, kandidati i njëjtë mund të votohet vetëm tri herë

Vendimi i Kushtetueses: Votimi për kryetar të Kuvendit të jetë i hapur, kandidati i njëjtë mund të votohet vetëm tri herë

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka publikuar sot vendimin për çështjen e konstituimit të Kuvendit, duke sqaruar qartë procedurat që duhet të ndiqen për zgjedhjen e kryetarit të tij.

Sipas aktgjykimit, votimi për kryeparlamentarin duhet të zhvillohet me votim të hapur, dhe jo të fshehtë. 

Po ashtu, i njëjti kandidat mund të paraqitet për votim vetëm deri në tre herë, ndërsa të gjithë deputetët janë të detyruar të marrin pjesë në votim.

Gjykata ka konstatuar se nuk është respektuar aktgjykimi i saj i mëparshëm, i datës 26 qershor 2025, dhe rrjedhimisht të gjitha seancat e mbajtura nga 27 qershori deri më 26 korrik 2025 shpallen të pavlefshme.

Po ashtu, në vendim thuhet se Kryesuesi i Seancës Konstituive, Avni Dehari, nuk ka vepruar në përputhje me aktgjykimin e Kushtetueses, duke ndërmarrë veprime që bien ndesh me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Gjykata urdhëron që, në seancën e ardhshme, Kuvendi të vazhdojë me pikën 3 të rendit të ditës, që është procedura për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.

Ky vendim i Kushtetueses vjen pas një bllokade disamujore në procesin e formimit të institucioneve, pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, dhe pritet të ndikojë drejtpërdrejt në rifillimin e procedurave parlamentare.

"TË URDHËROJË, me 6 (gjashtë) vota për dhe 1 (një) kundër, Kryesuesin e Seancës Konstituive të Kuvendit të Republikës së Kosovës të vazhdojë me pikën 3 të rendit të ditës së Seancës Konstituive, të miratuar më 8 prill 2025, dhe në pajtim  me paragrafin 2 të nenit 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve] të Kushtetutësë Republikës së Kosovës, të ftojë përfaqësuesin e grupit më të madh parlamentar për të propozuar kandidatin/en për Kryetar/e të Kuvendit të Republikës së Kosovës, i/e cili/cila zgjedhet përmes votimit të hapur, votimi i cili mund të realizohet vetëm deri në 3 (tre) herë për kandidatin/en e njëjtë", thuhet në vendim.

Gjykata ka urdhëruar të gjithë deputetët që të marrin pjesë në seancën e ardhshme konstituive, ashtu si edhe në votim. 

TË URDHËROJË, njëzëri të gjithë deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës, që në pajtim me nenin 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit], nenin 7 [Vlerat] dhe nenin 74 [Ushtrimi i Funksionit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës gjatë procedurës së zgjedhjes së Kryetarit/es dhe nënkryetarëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës të jenë të pranishëm dhe të votojnë. 

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy