
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në takimin e thirrur me liderët e partive politike, deklaroi se të mërkurën do të dalë me një vendim përfundimtar nëse vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme, në përputhje me afatet kushtetuese.
Analisti politik Sadri Ramabaja, në një prononcim për “MCN Live”, theksoi se tashmë asnjëra prej forcave politike nuk ka numrat e nevojshëm për të formuar qeverinë, ndërsa shtoi se konsensusi mes partive është drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme.
Sot sytë janë tek presidentja, por realisht situata është e qartë. Të gjitha partitë politike janë pajtuar se duhet ecur drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme.
Çështja ka mbetur vetëm tek dita e mbajtjes së tyre.
Megjithëse ende po bëhet lojë politike për datën dhe mënyrën, vendimi final do t’i përkasë presidentes Osmani, e cila do të dëgjojë qëndrimet e të gjitha palëve përpara se të marrë vendimin përfundimtar.
Rezultatet e zgjedhjeve të 9 shkurtit e kanë vendosur skenën politike në një situatë bllokimi, pasi asnjëra palë nuk arrin shumicën prej 61 deputetësh të nevojshme për formimin e qeverisë.
Lista Serbe nuk është më partnere e pranueshme për forcat e tjera, pavarësisht marrëveshjeve sporadike në nivel lokal.Kjo legjislaturë, e nënta me radhë, nuk është e denjë për të krijuar një qeveri funksionale. Partitë tashmë po përgatiten për zgjedhje.
Ramabaja thekson se në këtë rast, po merr formë krijimi i dy blloqeve politike.
Në njërin krah LDK dhe PDK, që po garojnë për pozicionin e dytë dhe për rikthimin e një modeli qeverisës të ngjashëm me atë para 14 shkurtit 2021.
Në krahun tjetër Vetëvendosje, që synon të ruajë dhe thellojë rezultatin elektoral për të vazhduar mandatin e qeverisjes.
Për Ramabajën, fajtorë për krizën politike nuk janë institucionet apo Albin Kurti, por e gjithë klasa politike tradicionale që, sipas tij, po kërkon të rikthejë modelin e vjetër të pushtetit.
Klasa politike në Kosovë dështoi të krijojë një qeveri. Beteja e sotme zhvillohet mes Kurtit dhe oligarkëve.
Po bëhet përpjekje për restaurimin e klasës së vjetër politike, gjë që do të dëmtonte faktorizimin e kombit shqiptar.



