Gazetari Kastriot Çipi, i ftuar në ‘MCN Informacion’, komentoi zhvillimet politike në Kosovë, duke u ndalur te vështirësitë për zgjedhjen e presidentit dhe takimi mes kryeministrit Albin Kurti dhe kreut të LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Sipas Çipit, qasja e Kurtit për të kërkuar kontroll të plotë politik po krijon pengesa serioze për arritjen e një marrëveshjeje.
Ajo që shoh në sjelljet e Kurtit është se i do të gjitha vetë, ai do fitore absolute dhe nuk do koalicion. Kjo nuk është e mirë për Kosovën dhe ka krijuar pakënaqësi.
Ai theksoi se mungesa e gatishmërisë për kompromis rrezikon të kthehet në ngërç për zgjedhjen e një presidenti konsensual.
Ky do të jetë edhe ngërçi për të gjetur një emër konsensual. Nuk është folur për emra konkretë, por Abdixhiku dhe të tjerët kanë të drejtë: nuk ka pse të jetë edhe kryeministri nga Vetëvendosje, edhe presidenti nga Vetëvendosje.
Duke komentuar marrëdhënien Kurti–Abdixhiku, ai vuri në dukje tensionet politike dhe kalkulimet e palëve.
Kurti i përngjan Ramës, duan të gjithë pushtetin. Ai do vota vetëm për kandidatin e tij dhe nuk do aleanca apo koalicione.
Çipi paralajmëroi se nëse qëndrimi i Kurtit nuk ndryshon, vendi mund të shkojë drejt zgjedhjeve të reja.
Kam frikë se do shkohet drejt zgjedhjeve nëse Kurti nuk ndryshon qëndrim. Topi është në fushën e tij.
Sipas tij, zgjidhja më e mirë për Kosovën do të ishte një president gjithëpërfshirës dhe i pranueshëm për të gjitha palët politike.
Në të mirë të Kosovës është të ketë një president konsensual, jo nga radhët e Vetëvendosjes. Presidenti duhet të jetë i propozuar nga opozita.



