Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka deklaruar se gjatë kësaj jave planifikon të zhvillojë një takim me liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, me qëllim arritjen e një marrëveshjeje për krijimin e shumicës parlamentare në Kuvendin e Kosovës.
Deklarata e Limajt vjen pas dështimit të seancës konstituive për herë të 47-të, duke thelluar më tej ngërçin institucional që po përjeton vendi.
Ne duhet të bashkëbisedojmë për të dalë nga kjo situatë. Gjërat më të zakonshme janë bërë të jashtëzakonshme.
Hapi i parë duhet të jetë komunikimi për të gjetur zgjidhje për krizën.
Jam i interesuar të flas me kryeministrin dhe liderët e tjerë politikë për të gjetur një dalje nga kjo situatë që po bëhet e tepërt.
I pyetur nëse ka hequr dorë nga ambicia për postin e kryeparlamentarit, Limaj nuk dha një përgjigje të drejtpërdrejtë, por theksoi se qëllimi i tij është ndërtimi i një shumice të qëndrueshme qeverisëse.
Nga ana tjetër, kandidatja e Vetëvendosjes për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka konfirmuar se të dy subjektet politike, VV dhe NISMA, kanë shprehur vullnet të përbashkët për bashkëpunim, edhe pse detajet e marrëveshjes mbeten të paqarta.
Situata aktuale politike në Kosovë mbetet e bllokuar, me presion në rritje nga publiku dhe faktori ndërkombëtar për të gjetur një zgjidhje që do t’i japë fund krizës institucionale.



