Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka njoftuar se nuk do të kandidojë për drejtimin e partisë në zgjedhjet e brendshme partiake.
Pas mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të partisë, Haradinaj bëri të ditur se procesi zgjedhor brenda partisë do të zhvillohet nga 20 shkurti deri më 6 qershor.
Ai përmendi si arsye kryesore kohëzgjatjen në krye të partisë, që prej themelimit të saj në maj të vitit 2000, si dhe rezultatin jo të kënaqshëm në dy palë zgjedhjet e fundit, më 9 shkurt dhe 28 dhjetor 2025.
Nuk do të kandidoj për kryetar të Aleancës. Në këto zgjedhje ua kam shpjeguar edhe kolegëve disa nga arsyet, të cilat po i ndaj edhe me ju.
Është një kohë e gjatë në udhëheqje, që nga maji i vitit 2000, dhe një faktor tjetër është edhe rezultati jo i mirë në zgjedhjet e fundit.
Haradinaj bëri të ditur gjithashtu se ambicie për të drejtuar AAK-në ka shprehur kryetari aktual i Gjakovës, Ardian Gjini.
Po ashtu, ai deklaroi se nuk është kandidat për president të vendit.
Në zgjedhjet e fundit, AAK arriti të sigurojë gjashtë vende në Parlamentin e Kosovës. Haradinaj është zgjedhur deputet në legjislaturën e dhjetë, e cila u konstituua një ditë më parë.
Në zgjedhjet e dhjetorit, ai ishte kandidat i AAK-së për kryeministër. Më herët, Haradinaj ka shërbyer dy herë si kryeministër i Kosovës.



