Kurti pret "Koalicionin Shqiptar": Rezultat historik përballë diskriminimit dhe pasivizimit

Kurti pret "Koalicionin Shqiptar": Rezultat historik përballë diskriminimit dhe pasivizimit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sërish në një takim zyrtar drejtuesit, përfaqësuesit politikë dhe aktivistët nga Presheva, Medvegja, Bujanoci dhe Pazari i Ri. 

 

Takimi erdhi si vijimësi e dakordësisë së arritur më 29 shtator, pas suksesit të shënuar në zgjedhjet parlamentare të së dielës, më 25 tetor 2026, ku subjektet politike lanë mënjanë dallimet dhe garuan të bashkuara në listën “Koalicioni Shqiptar”.

 

Ky përbashkim solli rezultatin më të mirë elektoral për shqiptarët në Serbi që nga viti 2000, duke grumbulluar deri më tani plot 1,233 vota më shumë se në vitin 2020, kohë kur u siguruan tri mandate.

 

Edhe pse shqiptarët renditen si pakica e katërt për nga numri i popullsisë në Serbi, në zgjedhjet e fundit ata arritën të renditen të dytët për nga votat dhe të parët për nga mandatet midis listave të pakicave kombëtare, duke ndarë primatin me listën hungareze. 

 

Ndërsa dy partitë më të mëdha serbe kanë siguruar së bashku 244 mandate, katër listat e pakicave kanë fituar gjithsej gjashtë vende në parlament, dy prej të cilave i takojnë tashmë “Koalicionit Shqiptar”.

 

Përmes një reagimi, kryeministri Kurti nënvizoi se rëndësia e këtij rezultati i kalon numrat e thjeshtë, për shkak të rrethanave të vështira në të cilat u arrit.

"Ky sukses u arrit përballë pasivizimit të adresave, mosnjohjes së diplomave, përjashtimit sistematik nga institucionet publike, diskriminimit ekonomik dhe zbrazjes së vendbanimeve shqiptare nga emigrimi. Për më shumë se dy dekada, shqiptarët kanë qenë një opozitë e dyfishtë: ndaj pushtetit dhe ndaj një shteti që e kishte vendosur veten në opozitë me ta," u shpreh Kurti.

 

Kreu i qeverisë kosovare bëri thirrje që ky unifikim të mos ndalet me mbylljen e procesit zgjedhor, por të shndërrohet në një kapitull të ri angazhimi.

 

"Bashkimi duhet të vazhdojë me mbrojtje të fuqishme të të drejtave, me kërkesën për barazi dhe në përpjekjen për një jetë dinjitoze në vendlindje. Dy mandatet e fituara janë sa një arritje e përbashkët, aq edhe një përgjegjësi e madhe," përfundoi Kurti.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy