Kuvendi i ri i Kosovës ka miratuar sot, në seancën e tij të parë plenare, një deklaratë lidhur me aktgjykimin e Gjykatës Speciale të Kosovës në Hagë ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Deputetët thanë se e konsideronë "si të papranueshëm përfundimin për ekzistencën e një qëllimi të përbashkët kriminal" të katërshes.
Në foltoren e Kuvendit, kryeparlamentarja Albulena Haxhiu lexoi deklaratën për të cilën ranë dakord Lëvizja Vetëvendosje (LVV), Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Aleanca dhe Grupi Parlamentar Multietnik.
Deklarata e 28 shtatorit u miratua me 99 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim. Më vonë, Kuvendi zgjodhi nënkryetaren e tij nga radhët e PDK-së, Vlora Çitakun, dhe caktoi anëtarët e komisioneve parlamentare.
Miratimi i deklaratës për Specialen u bë në kohën kur PDK-ja po propozon ndryshime në projektligjin e atyre që zyrtarisht njihen si Dhomat e Specializuara të Kosovës, pas dënimit me gjithsej 81 vjet burgim për krime lufte ndaj Thaçit, Krasniqit, Veselit dhe Selimit.
Projektligji i PDK-së, i propozuar javën e kaluar, kërkon që juridiksioni i Gjykatës Speciale të kufizohet te veprat penale të përmendura në një raport të vitit 2011 të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, i cili trajtonte, ndër të tjera, pretendimet për trafikim organesh pas luftës në Kosovë.



