Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës me rastin e Ditës së Pavarësisë, duke e cilësuar Deklaratën e Pavarësisë amerikane si një dokument me vlera universale që vazhdon të frymëzojë popujt në mbarë botën.
Me rastin e festës, ndërtesa e Qeverisë së Kosovës është ndriçuar me ngjyrat e flamurit amerikan.
Kurti kujtoi se më 4 korrik 1776 u miratua Deklarata e Pavarësisë, akt që shënoi lindjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vendosi në themel të shtetit të ri parimet e lirisë, barazisë dhe të drejtave të patjetërsueshme të njeriut.
"Një deklaratë pavarësie, shikuar si ngjarje historike, ndodh në një kohë dhe vend të caktuar. Sot festojmë përvjetorin e 250-të të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sepse më 4 korrik 1776, Kongresi Kontinental i 13 kolonive të Britanisë së Madhe, pas kuvendimeve në Dhomën e Asamblesë të Parlamentit Shtetëror të Pensilvanisë në qytetin e Filadelfias, nënshkroi përfundimisht Deklaratën e Pavarësisë. Kështu, me atë datë të famshme, lindi një shtet i ri: Shtetet e Bashkuara të Amerikës", shkroi Kurti.
Sipas tij, rëndësia e Deklaratës së Pavarësisë së SHBA-së shkon përtej kohës dhe vendit ku u miratua, pasi ajo mbështetet mbi parime universale që vazhdojnë të frymëzojnë breza të tërë.



