
Kosova ndodhet në një ngërç të ri institucional pas zgjedhjeve të parakohshme të 7 qershorit.
Duke komentuar situatën për edicionin e lajmeve në MCN TV, politologu Argjend Zejnaj tha se vendimi i LDK-së për t’u tërhequr nga kërkesat për pjesëmarrje në institucione tregon, sipas tij, një nivel të lartë arrogance nga liderët politikë, duke e vënë theksin te kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
Sipas Zejnajt, Kurti nuk është i interesuar të qeverisë dhe, pavarësisht se i ka numrat e nevojshëm për të avancuar në konstituimin e institucioneve, nuk ka ndërmarrë hapat e duhur për të dalë nga ngërçi.
Pas këtyre deklarimeve të LDK-së, po shihet se skena politike në Kosovë ka hyrë në një fazë të re tensioni dhe papajtueshmërie.
Afati, siç përcaktohet nga Kushtetuta, ishte 7 gushti dhe përpjekjet për krijimin e institucioneve të reja pas kësaj date tashmë kanë ngecur.
Këto ngecje vijnë si shkak-pasojë e një arrogance të paparë ndonjëherë nga liderët politikë, siç është në këtë rast z. Albin Kurti, dhe një moskonsistence në kuptimin organizativ të përballjes me këtë arrogancë të opozitës, duke përfshirë në këtë moment edhe LDK-në, që e pandehte veten se do të ishte partneri i ardhshëm i LVV-së.
Ai tha se, pavarësisht bisedimeve, palët nuk kanë arritur një marrëveshje që do të mund të zhbllokonte situatën dhe t’i kthente Kuvendit të Kosovës normalitetin.
Nuk besoj se thelbi është te mungesa e mbështetjes për zgjedhjen e presidentit.
Këtu është mungesa e një mundësie që Kurti nuk ua jep partive të tjera për të hyrë në një matematikë të mirë politike, për ta nxjerrë Kosovën nga ngërçi.
Kurti i ka pasur mundësitë dhe i ka ditur rezultatet e zgjedhjeve, ndaj, mund të kishte ndërmarrë hapa për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e qeverisë.
Kurti nuk është i interesuar të qeverisë. I ka pasur të gjitha mundësitë, i ka ditur rezultatet dhe, rrjedhimisht, nuk ka pritur që të ulet dhe të hedhë në publik përbërjen e qeverisë.
I ka edhe numrat për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit dhe për të ecur më tutje deri në ditën kur do të bëhej zgjedhja e presidentit.
Sipas Zejnajt, një nga zgjidhjet e mundshme do të ishte zgjedhja e një presidenti konsensual.
Nëse institucionet do të funksiononin ndërkohë, do të kishte më shumë hapësirë për arritjen e një kompromisi për zgjedhjen e një presidenti konsensual, ose në mungesë të tij, një presidenti partiak.
Deri në atë ditë, besoj se, duke qenë institucionet e tjera, Kuvendi dhe qeveria, në punë, do të gjendej një kompromis për një president konsensual, nëse jo partiak.



