Pas përfundimit të numërimit të votave nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), janë qartësuar emrat e deputetëve që do të përfaqësojnë qytetarët në Kuvendin e Kosovës në legjislaturën e 11-të.
Nga përbërja e re parlamentare, 101 deputetë të legjislaturës së kaluar do të vazhdojnë të mbajnë mandat edhe në Kuvendin e ri. Vetëm 9 deputetë do të ulen për herë të parë në sallën plenare, ndërsa 10 të tjerë rikthehen pas mungesës në legjislaturën e fundit.
Saktësisht 101 deputetë të legjislaturës së kaluar, e cila zgjati vetëm dy muaj e gjysmë, kanë siguruar sërish mandat.
Sipas rezultateve përfundimtare të numërimit të votave nga KQZ-ja, 48 deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) kanë fituar mandat të ri. Nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) mandatet i kanë rifituar 19 deputetë, nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) 15 deputetë dhe nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) 6 deputetë.
Në këtë legjislaturë do të hyjnë për herë të parë 9 deputetë, prej të cilëve 5 nga LVV-ja dhe 4 nga Lista Serbe. Nga LVV-ja debutues do të jenë Osman Musliu, Arton Konushevci, Armend Baloku, Krenare Çerkini dhe Valon Peci.
Ndërkohë, 10 deputetë që kanë qenë pjesë e legjislaturave të mëhershme, por jo të asaj të fundit, do t’i rikthehen Kuvendit. Nga PDK-ja rikthehen Jakup Nura, Altin Krasniqi dhe Rrustem Mustafa.
Përmes LDK-së, në Kuvend rikthehen ish-presidentja Vjosa Osmani-Sadriu, Arben Gashi dhe Paris Guri, ndërsa nga AAK-ja Ardian Gjini dhe Teuta Haxhiu. Nga komunitetet joshumicë, mandat kanë fituar sërish edhe Fikrim Damka dhe Albert Kinolli.
Sipas rezultateve, LVV-ja ka siguruar 53 ulëse në Kuvend, PDK-ja 22, LDK-ja 18 dhe AAK-ja 7 ulëse.
Nga ana tjetër, 31 deputetë të legjislaturës së kaluar, të cilët garuan edhe në zgjedhjet e 7 qershorit, kanë mbetur jashtë Kuvendit.
Nga LVV-ja nuk kanë arritur të sigurojnë mandat Rozeta Hajdari, Arjeta Rexhepi, Arsim Demi, Avdullah Klinaku, Bajram Mavriqi, Bylbyl Sokoli, Egzon Azemi, Ejup Ahmeti, Fahrush Rexhepi, Fatos Geci, Fitim Haziri, Ilir Qeriqi, Luan Aliu, Mimoza Shala, Mytaher Haskuka, Naim Bardiqi dhe Shqipe Isufi.
Megjithatë, nëse LVV-ja formon e vetme qeverinë, një pjesë e tyre mund të rikthehen në Kuvend pasi disa deputetë pritet të marrin poste ministrore.
Nga PDK-ja jashtë Kuvendit kanë mbetur Arbnore Saliu, Nait Hasani dhe Xhavit Haliti.
Nga LDK-ja, vetëm Adelina Thaçi-Meta nuk arriti të sigurojë mandat, pavarësisht se partia e saj rriti numrin e ulëseve me tre mandate krahasuar me legjislaturën e kaluar.
Në AAK, jashtë Kuvendit ka mbetur Bekë Berisha. Megjithatë, nëse Ardian Gjini dhe Daut Haradinaj heqin dorë nga mandati i deputetit, siç kanë paralajmëruar, atëherë ulëse në Kuvend do të fitojnë Bekë Berisha dhe Burim Ramadani.
Nga komuniteti serb dhe grupi multietnik nuk do të jenë pjesë e Kuvendit 9 deputetë të legjislaturës së kaluar.
Sa i përket votave individuale, kryetari i LVV-së, Albin Kurti, është deputeti më i votuar me mbi 324 mijë vota. Pas tij renditen Glauk Konjufca me mbi 264 mijë vota dhe Albulena Haxhiu me rreth 165 mijë vota.
Në PDK, më i votuari është Bedri Hamza me rreth 126 mijë vota, i ndjekur nga Përparim Gruda me mbi 78 mijë dhe Arian Tahiri me rreth 68 mijë vota.
Në LDK, Vjosa Osmani-Sadriu ka siguruar mbi 92 mijë vota, e pasuar nga Lumir Abdixhiku me mbi 83 mijë dhe Doarsa Kica-Xhelili me mbi 66 mijë vota.
Ndërsa në AAK, tre kandidatët më të votuar janë Ardian Gjini me mbi 44 mijë vota, Ramush Haradinaj me mbi 40 mijë dhe Daut Haradinaj me mbi 31 mijë vota.



