Analisti Faton Mehmeti, për ngërçin politik në Kosovë thotë se Albin Kurti nuk do që të arrihet marrëveshja për zgjedhjen e Presidentit, por kërkon që ta çojë vendin sërish në zgjedhje.
Duke folur për edicionin e lajmeve në MCN TV, ai tha se konsensusi për emrin e Presidentit është ngërçi.
Zoti Kurti është interesuar për një republikë të tretë që e ka paraqitur si iluzion të tij. Ideja e tij është të ndryshojë krejt klasën politike, por është shumë e vështirë. Por asnjëherë një parti nuk arrin t’i ketë të gjitha institucionet.
Është shumë e vështirë momentalisht të gjendjet në zgjidhje. e vetmja mundësi është që LDK dhe opozita të lëshojnë pe. Fillimisht duhet dakordësi për Presidentin, pastaj për kreun e parlamentit dhe qeveria. Konsensusi për emrin e Presidentit është ngërçi. Politikanët tek ne ndryshe mendojnë, ndryshe flasin dhe ndryshe veprojnë.
Albin Kurti duket se nuk është i interesuar për të arritur një marrëveshje të tillë, por synon ta çojë vendin në zgjedhje sërish, që të ketë 60% e tij. Kurti është nga ata politikanë që nuk heq dorë nga ideja e tij. Momentalisht LDK është e ndarë.
Përplasjet e brendshme në LDK i kanë dhënë një shtysë të fortë Albin Kurtit, për ta shantazhuar Lumir Abdixhikun. Zoti Kurti po luan në prapaskenë, pavarësisht se publikisht duket sikur do marrëveshje.
Se është e thjeshtë të zgjedhësh një president, mjaftojnë tre emra nga shoqëria civile. Dhe PDK nuk është e interesuar të zgjedhë Presidentin, pasi në mes të shtatorit do të jepet vendimi në Hagë dhe shpresojnë pafajësinë për liderët e tyre.
Vetëm LDK e Abdixhikut nuk do zgjedhje të reja. Kurti kërkon zgjedhje të reja në nëntor-dhjetor, atëherë kur kthehet dhe mërgata dhe shpreson në mbështetje ndaj tij.



