
Kuvendi i Kosovës ka dështuar sërish në përpjekjet për të zgjedhur nënkryetarin nga komuniteti serb, duke thelluar krizën institucionale dhe përfaqësimin e këtij komuniteti në organet drejtuese të legjislativit.
Asnjë prej deputetëve të komunitetit serb nuk arriti të sigurojë shumicën e nevojshme të votave në Kuvend. Nga 10 deputetët serbë në legjislaturë, asnjëri nuk është zgjedhur në postin e nënkryetarit të Kuvendit.
Deputetët e Listës Serbe, Miljana Nikolliq dhe Igor Simiq, të propozuar për votim përmes shortit nga kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, nuk morën asnjë votë në asnjërin prej tre raundeve të votimit.
Ndërkohë, deputeti tjetër nga komuniteti serb, Nenad Rashiq, arriti të marrë 56 vota pro, por mbeti pesë vota larg kuorumit prej 61 votash të nevojshme për t’u zgjedhur.
Ngërçi në zgjedhjen e nënkryetarit serb rrezikon të ndikojë në funksionimin e mëtejshëm të Kuvendit dhe raportet ndëretnike në institucionet e Kosovës.
Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, e ka konsideruar të mbyllur seancën konstituive.
Ai tha se moszgjedhja e nënkryetarit serb, nuk mund të bëhet pengesë që të mos konstituohet Kuvendi.
“Konsideroj që moszgjedhja e njërit nga pesë nënkryetarët nuk mund të bëhet pengesë që bllokon konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Si të veprohet tutje me punën tonë, do t’i konsultoj anëtarët e Kryesisë së Kuvendit”.
Dështimi për ta zgjedhur njërin nga deputetët e hedhur në votim sot nënkupton se Kuvendi nuk ka më askënd nga pakica serbe për ta votuar për nënkryetar.
Kuvendi e zgjodhi kryetarin dhe katër nënkryetarët më herët gjatë kësaj jave.
Votimi ndaras për nënkryetarët nga pakicat ka nxitur dyshime se mund të jetë shkelur Kushtetuta e vendit, pasi në të kaluarën ata janë votuan në një pako.



