Komisionerja Evropiane për Zgjerim, Marta Kos, ka lëshuar kritika ndaj Prishtinës zyrtare, duke deklaruar se ndryshimet e fundit në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës bien ndesh me detyrimet themelore ndaj Bashkimit Evropian dhe janë plotësisht të papranueshme.
Duke folur përpara takimit të ministrave të Jashtëm të BE-së në Luksemburg, Kos kritikoi ashpër ndryshimin e rregullave ligjore në një kohë kur proceset gjyqësore në Hagë janë ende në zhvillim.
“Dua të jem e qartë se ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara në Kosovë bien ndesh met detyrimet themelore të vendit ndaj BE-së. Kjo është e papranueshme. Ndryshimi i rregullave gjatë zhvillimit të një procesi gjyqësor bie ndesh me standardet ndërkombëtare të sundimit të ligjit. Mesazhi im është shumë i thjeshtë: zgjerimi evropian po ecën përpara. Nëse vendet kandidate bëjnë hapa prapa, ato nuk janë në rrugën e duhur dhe nuk do të mund të bëhen anëtare të BE-së”, deklaroi prerazi komisionerja Kos.
Ky reagim vjen pasi Kuvendi i Kosovës miratoi ndryshimet ligjore të propozuara nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK).
Iniciativa erdhi vetëm pesë ditë pas aktgjykimit të 16 shtatorit, kur Gjykata Speciale dënoi ish-presidentin Hashim Thaçi dhe tre ish-udhëheqësit e UÇK-së, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, me gjithsej 81 vjet burgim për krime lufte (akuza për të cilat të katërt janë deklaruar të pafajshëm).
Ndryshimet e votuara synojnë të kufizojnë ndjeshëm juridiksionin e Dhomave të Specializuara, duke ngushtuar periudhën kohore dhe kategoritë e veprave që ato mund të trajtojnë.
Përpara deklaratës së komisioneres Kos, më 8 tetor, edhe Shërbimi Evropian i Veprimit të Jashtëm (EEAS) reagoi zyrtarisht duke kujtuar se Gjykata Speciale është një institucion i pavarur gjyqësor i themeluar me vendim të vetë Kuvendit të Kosovës në vitet 2014 dhe 2015.
BE-ja i bëri thirrje Prishtinës të garantojë mbrojtjen dhe sigurinë e dëshmitarëve si dhe drejtësinë për të gjitha viktimat.
Ky përplasje e re ligjore dhe politike shton një tjetër ngarkesë në marrëdhëniet mes Brukselit dhe Prishtinës. Kosova aplikoi për anëtarësim në BE në dhjetor të vitit 2022, por mbetet vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që ende nuk e ka marrë statusin e vendit kandidat.
Përparimi i saj kushtëzohet rreptësishtë nga reformat në sundimin e ligjit, funksionimi i institucioneve demokratike dhe normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë.



