Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Serbi do të mbahen këtë të diel, më 25 tetor, ku shqiptarët e Luginës së Preshevës (Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë) do të garojnë të bashkuar nën një sigël të vetme.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një video-mesazhi, u ka bërë thirrje masive bashkëkombësve në Luginë dhe atyre që jetojnë në Kosovë me të drejtë vote, që të mobilizohen dhe të mbështesin "Koalicionin Shqiptar", si një përgjigje të vendosur dhe demokratike ndaj politikave diskriminuese të Beogradit.
Në adresimin e tij, Kurti theksoi se pjesëmarrja e gjerë në votime është jetike për të garantuar përfaqësimin e duhur dhe për të mbrojtur të drejtat e komunitetit shqiptar në Serbi.
“Shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës kanë të drejtë ta ndërtojnë jetën në vendlindje, me mundësi të barabarta. Diskriminimi, përjashtimi dhe shtypja kërkojnë një përgjigje të vendosur demokratike. Me solidaritet. Me këmbëngulje. Me pjesëmarrje. Nesër është dita kur duhet të shprehni vullnetin tuaj. Përmes votës, secili e secila vendos për përfaqësimin, me kundërvënie si përgjigje”, deklaroi kryeministri Kurti.
Më tej, kreu i ekzekutivit kosovar u bëri thirrje të veçantë qytetarëve nga Lugina që aktualisht ndodhen në Kosovë që të udhëtojnë drejt vendlindjes së tyre për të përmbushur këtë detyrim politik e kombëtar.
“Të gjithë ju që ndodheni në Kosovë dhe keni të drejtë vote në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë duhet të jeni nesër në vendlindje për të votuar. Sikurse, u bëj thirrje bashkëkombësve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë të përfshihen aktivisht e të dalin secili e secila për të votuar dhe të mbështesin numrin 17, 'Koalicionin Shqiptar'. Fletëvotimi peshon pak në dorë, por vendimi peshon mbi të ardhmen”, përfundoi Albin Kurti në thirrjen e tij drejtuar votuesve shqiptarë.



