Mbetje mortore eshtërore, që dyshohet se u përkasin viktimave të luftës së fundit në Kosovë (1998–1999), janë gjetur dje në varrezat e qytetit të Mitrovicës së Veriut.
Agron Limani, kryesues i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, bëri të ditur për Radion Evropa e Lirë se këto gërmime vlerësuese brenda hapësirës së varrezave të besimtarëve myslimanë janë vazhdimësi e punimeve të nisura më 20 tetor të këtij viti.
Mbetjet mortore të zhvarrosura janë dërguar menjëherë në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për t'iu nënshtruar ekzaminimeve të nevojshme dhe analizave të ADN-së me qëllim përcaktimin e saktë të identitetit të tyre.
Sipas Limanit, varësisht nga rezultatet e këtyre analizave, ky lokacion do të mbetet me interes të lartë për verifikime dhe veprime të mëtejshme në kuadër të procesit për ndriçimin e fatit dhe vendndodhjes së personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës.
Këto gjetje pasojnë zbulimet e rëndësishme në Zubin Potok, po ashtu në veri të Kosovës, ku u identifikuan tri varreza masive me mbetjet mortore të të paktën 23 personave.
Deri më tani, autoritetet kanë arritur të identifikojnë tri viktimat e para, të cilat i përkasin të ashtuquajturit "Grupi i Intelektualëve".
Ky grup përbëhej nga 23 shqiptarë, mes të cilëve veprimtarë, profesionistë dhe figura publike nga zona e Mitrovicës, të cilët u zhdukën forcërisht në zonën e Zubin Potokut më 19 prill 1999.
Lidhur me vrasjen e këtyre civilëve, autoritetet në Kosovë kanë arrestuar tashmë disa persona të dyshuar.
1.577 persona konsiderohen ende të zhdukur nw Kosovw, fati i të cilëve mbetet akoma i pazbardhur.
