KQZ certifikon rezultatet e zgjedhjeve në Kosovë, nis numërimi mbrapsht për formimin e institucioneve të reja

KQZ certifikon rezultatet e zgjedhjeve në Kosovë, nis numërimi mbrapsht për formimin e institucioneve të reja

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka certifikuar sot rezultatet e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 7 qershorit, rreth një muaj pas mbajtjes së tyre. Këto ishin zgjedhjet e treta parlamentare që Kosova organizoi në më pak se një vit e gjysmë.

 

Sipas rezultateve të certifikuara, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka siguruar 53 mandate. Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka fituar 22 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) 18 mandate, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) shtatë mandate.

 

Pas certifikimit të rezultateve, ushtruesja e detyrës së presidentes dhe njëherazi kryeparlamentarja, Albulena Haxhiu, duhet të thërrasë seancën konstituive të Kuvendit.

 

Sipas Kushtetutës së Kosovës, kjo seancë duhet të mbahet brenda 30 ditëve nga certifikimi i rezultateve, megjithëse mund të thirret edhe më herët.

 

Në seancën konstituive bëhet betimi i deputetëve, zgjidhen kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit dhe më pas hapet rruga për formimin e Qeverisë së re.

 

Pas konstituimit të Kuvendit, presidentja në detyrë i jep mandatin për formimin e Qeverisë partisë fituese të zgjedhjeve, në këtë rast Lëvizjes Vetëvendosje.

 

Nga Zyra e Presidentes konfirmuan se seanca konstituive do të thirret brenda afateve të përcaktuara nga Kushtetuta.

 

Edhe pse nuk pritet që konstituimi i Kuvendit dhe formimi i Qeverisë të hasin në vështirësi, zgjedhja e presidentit të ri mbetet sfida kryesore politike.

 

Lëvizja Vetëvendosje ka siguruar 53 mandate në Kuvendin me 120 deputetë dhe, me mbështetjen e deputetëve të pakicave joserbe, pritet të sigurojë shumicën e nevojshme për krijimin e institucioneve të reja.

 

Megjithatë, zgjedhja e presidentit kërkon pjesëmarrjen e të paktën dy të tretave të deputetëve në seancën e votimit, çka e bën të domosdoshme arritjen e një marrëveshjeje politike mes forcave parlamentare.

 

Kushtetuta parashikon që presidenti i Kosovës duhet të zgjidhet brenda 60 ditëve nga konstituimi i Kuvendit. Nëse kjo nuk ndodh, Kuvendi shpërndahet automatikisht dhe vendi shkon në zgjedhje të reja.

 

Deri më tani, partitë politike nuk kanë zhvilluar negociata për një marrëveshje lidhur me zgjedhjen e presidentit të ri.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy