
Pas aksionit të gjerë që rezultoi me arrestimin e 109 personave të dyshuar për manipulim të votave në zgjedhjet e 28 dhjetorit, Gjykata Themelore në Prizren ka nisur zyrtarisht shqyrtimin e masave të sigurisë ndaj të arrestuarve.
Vendimi vjen vetëm dy ditë pas operacionit të Prokurorisë, ku dyshohet se keqpërdorimet kanë prekur deri në 60 mijë vota, sipas deklaratave të Kryeprokurorit të Prizrenit, Petrit Kryeziu.
Gjykata Themelore në Prizren, përmes Departamentit për Krime të Rënda, ka caktuar sot masën e paraburgimit për 23 të pandehur, të dyshuar për kryerjen e veprave penale kundër të drejtës së votimit, kanosje, marrje ryshfeti dhe dhënie ryshfeti.
Pas katër seancave dëgjimore, gjyqtarët e procedurës paraprake vendosën që për 21 nga të pandehurit O.Sh., V.B., A.K., B.B., A.H., A.K., Gj.Sh., L.K., B.Xh., E.G., I.P., I.H., A.D., B.B., D.Sh., J.H., S.B., A.L., Q.K., A.V. dhe M.J., të caktohet masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji.
Ata dyshohen se kanë kryer veprën penale falsifikim i rezultateve të votimit, nga neni 216 paragrafi 2, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Kosovës.
Po ashtu, ndaj një të pandehure, A.V., është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji, deri më 23 shkurt 2026, nën dyshimet për kryerjen e dy veprave penale: falsifikim i rezultateve të votimit dhe marrje ryshfeti, sipas dispozitave përkatëse të Kodit Penal.
Ndërkohë, edhe ndaj një të pandehuri, G.P., në cilësinë e vëzhguesit, është caktuar masa e paraburgimit njëmujor deri më 23 shkurt 20206, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale kanosje dhe dhënie ryshfeti.
Nga Gjykata është bërë e ditur se vërtetësia e këtyre dyshimeve dhe argumentimi i fakteve do të vlerësohen në fazat e mëtejme të procedurës penale.
Sipas Prokurorisë së Prizrenit, në Qendrën Komunale të Numërimit janë devijuar rreth 70 mijë vota, ku mbi 40 mijë u janë shtuar disa kandidatëve dhe mbi 27 mijë u janë hequr të tjerëve.
Ky manipulim dyshohet se është bërë në koordinim mes komisionerëve të partive të mëdha politike.



