Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Ferit Hoxha.
Pas takimit, Kurti vlerësoi se marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë janë në nivel të shkëlqyeshëm, duke theksuar se bashkëpunimi mes dy vendeve është i domosdoshëm.
“Marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë janë të shkëlqyeshme. Janë marrëdhënie ndërmjet dy shteteve të të njëjtit komb”, deklaroi Kurti.
Sipas tij, bashkërendimi dhe bashkëveprimi ndërmjet Prishtinës dhe Tiranës nuk duhet të shihen si zgjedhje politike, por si obligim kombëtar.
“Andaj, bashkërendimi dhe bashkëveprimi nuk janë zgjedhje, por detyrë kombëtare”, u shpreh ai.
Kurti bëri të ditur se gjatë takimit me ministrin Hoxha është diskutuar për bashkëpunimin rajonal dhe ndërkombëtar, si dhe për proceset integruese të të dy vendeve.
Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit në fusha të ndryshme, përfshirë diplomacinë, energjinë dhe infrastrukturën hekurudhore.
Duke folur për marrëdhëniet dypalëshe, Kurti nënvizoi nevojën për bashkërendim të vazhdueshëm në politikën e jashtme, në proceset e integrimit euroatlantik të Kosovës dhe Shqipërisë, si dhe në kuadër të bashkëpunimit rajonal.
Takimi u zhvillua në kuadër të vizitës së parë zyrtare të ministrit Hoxha në Kosovë pas marrjes së detyrës.



