
Krerët e institucioneve të Kosovës, ambasadorë të akredituar në Prishtinë dhe familjarë të personave të zhdukur, bënë homazhe sot te Monumenti i Personave të Zhdukur, përkujtim i Ditës Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur me Dhunë.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i bëri thirrje Serbisë për të zbardhur fatin e personave të zhdukur me dhunë gjatë periudhës së luftës.
Ajo theksoi se Serbia vazhdon të shkelë konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe nënvizoi se mbajtja e trupave të të zhdukurve në varreza masive në Kosovë është një krim i ripërsëritur.
Në këtë kuadër, Presidentja Osmani kërkoi që aleatët ndërkombëtarë të Kosovës të bëjnë presion ndaj Serbisë për të zbardhur fatin e personave të zhdukur.
Thirrje të ngjashme bënë edhe kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, si dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
Gjatë luftës në Kosovë, janë vrarë rreth 13,000 njerëz, mbi 800,000 janë zhvendosur, ndërsa rreth 6,000 persona janë zhdukur, prej të cilëve rreth 1,600 mbeten ende të pagjetur.
Qindra trupa të shqiptarëve të vrarë janë gjetur në varrezat masive në Serbi.



