
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, është marrë vendim për vazhdimin e paraburgimit ndaj Hashim Thaçi, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt dhe Fadil Fazliut, të cilët së bashku me Hajredin Kuçin akuzohen për veprat penale kundër administratës së drejtësisë.
Prokuroria kishte kërkuar që ata të qëndrojnë në paraburgim, duke argumentuar se kjo masë është proporcionale dhe e nevojshme për mbrojtjen e procedurave ligjore.
Në rastin e Thaçit, gjyqtarja e procedurës paraprake, Masselot, ka konstatuar se dyshimet për veprat penale të akuzuara ndaj tij janë ende të forta. Sipas saj, vazhdon të ekzistojë rreziku që Thaçi të arratiset, të pengojë procedurat ose të kryejë krime të tjera.
Argumentet e vazhdimit të paraburgimit për Thaçin:
-Rreziku i arratisjes: Gjyqtarja ka theksuar se vlerësimet e bëra për vazhdimin e paraburgimit janë ende të vlefshme, dhe ato lidhen me rëndësinë e veprave penale të akuzuara dhe dënimin e mundshëm për Thaçin. Ajo po ashtu ka theksuar mundësinë që ai të arratiset, pavarësisht paraburgimit aktual, duke marrë parasysh natyrën e akuzave për krime lufte që rëndojnë ndaj tij.
-Pengimi i procedurave: Gjyqtarja ka theksuar se Thaçi dyshohet për bashkëpunim me tri grupe që udhëhoqën për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve. Kjo ka krijuar një rrezik për pengimin e procedurave, pasi veprimet e Thaçit tregojnë një qëllim për të minuar proceset gjyqësore. Ky ndikim ka arritur deri në Qendrën e Paraburgimit të DhSK-së, ku Thaçi ka mundur të ndikojë edhe tek ish-pjesëtarë të UÇK-së dhe persona nga rrethet e tij politike.
Ndaj Thaçit rëndojnë akuza për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave, shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe mosbindje ndaj gjykatës.
Akuzat ndaj të akuzuarve të tjerë-Bashkim Smakaj, Isni Kilaj dhe Fadil Fazliu akuzohen për tentativë për pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe mosbindje ndaj gjykatës. Hajredin Kuçi akuzohet për dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës.
Gjykata ka vazhduar hetimet për këto çështje dhe do të përcaktohet nëse masat e paraburgimit do të mbeten në fuqi për të gjithë të akuzuarit deri në përfundimin e procesit gjyqësor.



