
Mijëra qytetarë protestuan sot në Prishtinë kundër Gjykatës Speciale, në një tubim të organizuar nga Organizatat e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në një analizë për edicionin e lajmeve në MCN TV, ish-kryeministri Haki Abazi e konsideroi protestën si mjaft domethënëse, duke theksuar se ajo lidhet me pasojat e një gjykate të krijuar me insistimin e vet ish-kryeministrit Hashim Thaçi, i cili sot gjykohet pikërisht në atë gjykatë.
E mira është që shpirti protestues dhe demonstrues në Kosovë nuk ka lindur me Lëvizjen Vetëvendosje, siç pretendohet shpesh, e as nuk përfundon me të.
Qytetarët kanë dëshmuar vazhdimisht se janë aktivë dhe të gatshëm të angazhohen për interesin publik dhe për çështje madhore të vendit.
Protesta e sotme ishte një mobilizim për një çështje të caktuar, Gjykatën Speciale që, mbetet një barrë serioze për Kosovën.
Sipas Abazit, kjo gjykatë është themeluar nga Kuvendi i Kosovës, dhe themelimi i saj është një vendim i pakthyeshëm.
Kjo gjykatë është themeluar nën presionin e vazhdueshëm të zotit Hashim Thaçi ndaj deputetëve të Kuvendit, megjithëse shumica prej tyre ishin kundër.
Ai vuri në dispozicion gjithë kapitalin e tij politik për themelimin e kësaj gjykate, që tani po përballemi me pasojat e saj.
Gjykata është formalisht pjesë e sistemit të drejtësisë së Kosovës, por është vendosur fizikisht jashtë vendit, në Hagë, nën ombrellën e Bashkimit Evropian.
Në lidhje me mundësinë e shpërbërjes së Gjykatës, Abazi u shpreh se një gjë e tillë është e pamundur.
Shanset për shpërbërjen e kësaj gjykate janë të papërfillshme, edhe pse administrata ndërkombëtare ka ndryshuar që nga themelimi i saj.
Me mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe me arsyetimin që iu dha në atë kohë për krijimin e saj, është e vështirë të imagjinohet një mbyllje apo zhbërje e saj.
Kjo do të sillte humbje të madhe të kredibilitetit dhe do të vinte në pikëpyetje të gjitha proceset gjyqësore të zhvilluara deri më tani.
Duke folur për të arrestuarit, Abazi e cilësoi si fatkeqësi faktin që ata mbahen në paraburgim për një kohë të gjatë, pa një vendim përfundimtar.
Është fatkeqësi fakti që ata po mbahen në paraburgim në një kohë kaq të gjatë dhe se nuk janë shpallur asnjë vendim ndaj tyre.
Ata nuk janë shpallur fajtorë, ndaj duhet të shpresojmë që drejtësia të bëjë punën e saj deri në fund.



