Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar sot me 6 vjet burgim efektiv Hysri Selimin, i shpallur fajtor për veprën penale të spiunazhit në favor të Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Serbisë (BIA).
Ky rast konsiderohet si një shembull i rëndësishëm i bashkëpunimit ndërinstitucional në Kosovë, ku hetimet dhe zbulimi i aktivitetit të Selimit janë realizuar përmes koordinimit ndërmjet Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Prokurorisë Speciale dhe Policisë së Kosovës.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, Selimi dyshohet se për vite me radhë ka bashkëpunuar me BIA-n serbe, duke mbledhur dhe dërguar informacione që lidhen me ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), krimet e luftës, personat e radikalizuar, si dhe shtetas kosovarë të përfshirë në konfliktin në Siri.
Prokuroria ka pretenduar se ai është rekrutuar nga shërbimi sekret serb që në vitin 2009, ndërsa veprimtaria e tij dyshohet se ka vazhduar deri në arrestimin e tij më 6 maj 2025.
Sipas dosjes hetimore, Selimi dyshohet se është pajisur me telefona të mençur, mjete financiare dhe përfitime të tjera nga zyrtarë serbë, me qëllim kryerjen e detyrave të përcaktuara nga ky shërbim.
Aktakuza thekson se, me instruksione të BIA-s, Selimi kishte udhëtuar në Siri në vitin 2015, ku iu bashkua organizatës terroriste ISIS dhe më pas raportonte tek zyrtarët serbë për numrin, organizimin dhe aktivitetin e shqiptarëve që vepronin brenda kësaj organizate terroriste.
Sipas burimeve të hetimit, ai kishte luajtur rol edhe në nxitjen dhe orientimin e qytetarëve shqiptarë drejt grupeve ekstremiste, në përputhje me interesat operative të BIA-s.
Ai ishte paguar nga BIA serbe deri në 700 euro në muaj për bartjen e të dhënave, sipas aktakuzës.
Ky është rasti i katërt në Kosovë ku shqiptohet dënim me burg efektiv për bashkëpunim me shërbimin sekret serb, duke reflektuar intensifikimin e veprimeve institucionale kundër rrjeteve të spiunazhit që cenojnë sigurinë kombëtare.
Sipas Kodit Penal të Kosovës, spiunazhi konsiderohet krim i rëndë dhe dënohet me të paktën pesë vjet burgim, nëse i dyshuari shpallet fajtor.



