Bashkimi Evropian ka mirëpritur zhvillimin paqësor, konkurrues dhe gjithëpërfshirës të rundit të parë të zgjedhjeve lokale në Kosovë, duke shprehur pritjen që edhe balotazhi i 9 nëntorit të vijojë në të njëjtën frymë demokratike.
Në një deklaratë të dhënë për media nga një zëdhënës i BE-së, theksohet se pjesëmarrja e të gjitha komuniteteve dhe mbulimi i lirë dhe i drejtë nga mediat kanë kontribuar në një proces zgjedhor transparent dhe demokratik.
Të dielën, populli i Kosovës ushtroi të drejtën demokratike duke votuar në rundin e parë të zgjedhjeve lokale.
Ne mirëpresim zhvillimin paqësor, konkurrues dhe inkluziv të këtij raundi, me pjesëmarrjen e të gjitha komuniteteve, si edhe mbulimin mediatik të lirë dhe gjithëpërfshirës që kontribuoi në një proces transparent.
Bashkimi Evropian i bën thirrje institucioneve përgjegjëse në Kosovë që në komunat ku kryetarët janë zgjedhur që në raundin e parë, të certifikohen dhe implementohen rezultatet sa më shpejt, për të garantuar një tranzicion të rregullt të pushtetit lokal.
Ndërkohë, për komunat që do të shkojnë në balotazh më 9 nëntor, BE-ja kërkon që zgjedhjet të zhvillohen në të njëjtën atmosferë paqësore dhe demokratike.
Për komunat ku do të zhvillohet balotazhi, bëjmë thirrje që të mbahet një proces po aq paqësor, konkurrues dhe gjithëpërfshirës.”
Me ftesë të Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, Bashkimi Evropian dërgoi në Kosovë një mision vëzhgues për zgjedhjet lokale, i cili ndoqi nga afër procesin zgjedhor në gjithë vendin.
BE-ja ka theksuar vazhdimisht rëndësinë e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme si shtyllë e fuqishme e demokracisë dhe integrimit evropian për Kosovën.



