Ndryshimi i ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë dhe mundësia e zbutjes së dënimeve për ish-pjesëtarët e UÇK-së vijojnë të jenë në qendër të debatit politik e juridik.
Ish-deputeti i PDK-së, Hilsen Berisha, e sheh me shqetësim ndërhyrjen në kuadrin ligjor dhe argumenton se procesi në Hagë rrezikon të prekë jo vetëm fatin e të pandehurve, por edhe mënyrën se si trajtohet historikisht lufta për çlirimin e Kosovës.
Duke komentuar propozimin për ndryshimin e ligjit, Berisha thotë se nuk mund të konsiderohet normale që një dispozitë ligjore të çojë në dënime të tilla, ndërsa sipas tij ndryshimi i propozuar ul ndjeshëm kufijtë e dënimit dhe mund të ndikojë drejtpërdrejt në apel.
Ne, për të qenë korrekt, s’do duhej fare dhe s’ka se çfarë të komentohet lidhur me këtë, sepse s’mund të quhet normal një ligj i cili apriori i dënon 154 vjet. Ligji paraprak ka qenë me ligjet e ish-Jugosllavisë dhe me këtë ligj po i heqin 10 vite, duke e zbritur në 15. Në logjikën juridike ata mund të dënohen, por jo 25, por 15 vite. Nëse shkruhet ‘organizatë e përbashkët kriminale’, a i jepen 15 vite maksimal? Detyrim me kusht lirimi, e rëndësishme është që ata të dënohen si organizëm i përbashkët kriminal, si konsekuencë. Dhe liria dhe pavarësia e Kosovës vijnë nga një organizëm i përbashkët kriminal, pra kjo është logjika dhe nëse po, ne përmes një ligji po lejojmë dënimin e tyre.
Sipas tij, ndryshimi i ligjit do të kishte pasoja konkrete për personat që tashmë kanë kaluar disa vite në paraburgim ose burgim, pasi një pjesë e kohës së vuajtur do të llogaritej brenda dënimeve të reja.
Ajo që po afrohet sot nga ky akordim është se ata që kanë kaluar atje në burg nga 6 vite do të jenë aty edhe 9 vite të tjera, pra ky ligj po i penalizon paraprakisht tani, në apel ku do të shkojnë. Kështu e shoh këtë amendim të ligjit, që nuk e quaj dot as ligj normal. Nuk besoj se përmbush pritjet apo qëndrimet që kanë mbajtur shumë njohës të së drejtës ndërkombëtare. Duke dashur ta ruajmë pastër këtë liri, s’kemi dashur ta penalizojmë drejtësinë, por ajo sot po kriminalizon lirinë tonë.
Berisha e zhvendos debatin edhe te vetë krijimi i Dhomave të Specializuara në Hagë, duke ngritur pikëpyetje mbi arsyen se përse këto procese nuk u zhvilluan në Kosovë. Sipas tij, institucionet e Kosovës duhet të rikthehen te rrethanat në të cilat u krijua ky mekanizëm juridik.
Dhomat Speciale në Hagë janë mekanizëm juridik që kanë krijuar vetë Kosova në marrëveshje me BE-në dhe vetë Kosova e Kuvendi i Kosovës. Pse nuk i mbajtën në Kosovë dhe pse në Hagë? Këto duhet t’i kthehemi situatës për situatën që kishim me sistemin e drejtësisë të atyre viteve. Është turp që është lejuar të kalohet në shqyrtim një ligj me të tillë përmbajtje. Këto gjykime duhej të bëheshin në Kosovë dhe jo në Hagë. Me këtë po penalizohet komplet lufta dhe historia e Kosovës dhe po kriminalizohen mjetet, rrugët me të cilat u çlirua Kosova, doktrinat, gjithë politika dhe sakrifica. Po goditen themelet mbi të cilat është ndërtuar Kosova dhe për këtë duhet të punohet në zhbërjen, dhe kjo do të na çojë drejt asaj që quhet Republika e Tretë.



