Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë (KOMF) i ka bërë thirrje Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) që të ndërmarrë masa, pas raportimeve në terren se fëmijët po përfshihen në aktivitetet e fushatave zgjedhore nga subjektet politike.
Në reagimin e tij, KOMF u ka bërë thirrje të gjitha partive politike që të respektojnë të drejtat e fëmijëve dhe të shmangin çdo formë të përfshirjes së tyre në fushata.
“Shfrytëzimi i fëmijëve për qëllime politike përbën shkelje të të drejtave të tyre, cenon mirëqenien e tyre dhe nuk është në interesin më të mirë të fëmijës”, thuhet në deklaratë.
Koalicioni kërkon që KQZ-ja të monitorojë aktivitetet e subjekteve politike dhe, në rastet kur konstatohet përfshirja e fëmijëve në fushatë, të ndërmarrë masat përkatëse në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Gjithashtu, KOMF u ka bërë thirrje prindërve që të mos i ekspozojnë fëmijët në aktivitete politike dhe fushata zgjedhore.



