
Kryeprokurorja Kimberly West ka përfunduar fjalën përmbyllëse në gjykimin ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), duke theksuar se gjatë procesit janë marrë dëshmi nga mbi 130 dëshmitarë dhe janë pranuar më shumë se 5 mijë prova.
"ranskriptet e procesverbaleve arrijnë në 28 mijë faqe, ndërsa gjykata ka shqyrtuar edhe dokumente të shumta të shkruara nga të njëjtit dëshmitarë. Shumë nga këta dëshmitarë kanë përjetuar pasojat e krimeve për më shumë se 20 vite dhe shpesh kishin humbur shpresën për drejtësi.
Kanë kaluar shumë vite tashmë dhe ata që kanë humbur pjesëtarët e familjes kanë menduar se nuk do të kenë drejtësi, por shteti i së drejtës nënkupton që askush nuk është mbi të drejtën dhe ligjin. Kjo do të thotë që edhe njerëzit më të fuqishëm duhet të japin llogari.
Në përfundim, ajo kërkoi që të akuzuarit të japin llogari për krimet e kryera dhe të merrnin dënimin e duhur sipas provave të paraqitura, të cilat, sipas saj, e vërtetojnë përgjegjësinë pa asnjë dyshim.
Përfaqësuesi i Zyres së Prokurorit të Specializuar (ZPS), Matt Halling, gjatë seancës përmendi se James Rubin dhe Wesley Clark, si disa ndërkombëtarë të tjerë, nuk e kuptonin realitetin e veprimeve të Hashim Thaçit dhe të UÇK-së.
"Ajo që nuk kuptonin James Rubin, Wesley Clark dhe ndërkombëtarët e tjerë ishte që Thaçi ishte i aftë të maskonte atë që po ndodhte në realitet dhe kjo ndikoi në mënyrën se si ata e kuptonin UÇK-në," theksoi Halling.
Ai shtoi se Rubin dhe Clark nuk kishin asnjë interes për të kuptuar realitetin dhe veprimin e UÇK-së, duke besuar se punët e tyre ishin të drejta dhe se ishin në anën e duhur të historisë.
Sot është dita e dytë e shpalosjes së deklaratave përmbyllëse në rastin gjyqësor kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputetit, Rexhep Selimi në Gjykatën Speciale, me seli në Hagë.
Pas përmbylljes së deklaratave, çështja do të kalojë te trupi gjykues. Gjykatësit kanë tre muaj kohë që të marrin një vendim për çështjen, ose të kërkojnë zgjatjen e afatit për marrjen e vendimit.



