Një këngë nacionaliste serbe e interpretuar gjatë një koncerti zyrtar në Bruksel, në prag të Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Evropian, ka shkaktuar reagime të ashpra dhe polemika të forta diplomatike.
Gjatë koncertit të mbajtur mbrëmjen e së dielës, më 15 nëntor, ku u prezantuan këngë nga secili vend i rajonit, si përfaqësuese muzikore e Kosovës në repertor u përzgjodh kënga nacionaliste serbe “Oj Kosovo, Kosovo”.
Kjo këngë është krijuar në vitin 1989, me rastin e 600-vjetorit të Betejës së Kosovës, në një periudhë që përkoi me ngritjen politike të ish-presidentit serb, Sllobodan Millosheviç.
Pas reagimeve të ashpra të zyrtarëve në Prishtinë, ka ardhur edhe reagimi i Komisioneres evropiane për Zgjerim, Marta Kos, e cila shprehu keqardhje për përzgjedhjen e kësaj kënge nga ana e muzikantëve, duke theksuar se ajo nuk pasqyron në asnjë mënyrë qëndrimet e Komisionit Evropian dhe se se ajo ishte zgjedhur nga muzikantët, pa miratimin e tij.
Duke folur para gazetarëve pak para nisjes së punimeve të forumit, Kos u shpreh se qëllimi i BE-së nuk është harrimi i dallimeve, por ndërtimi i një Evrope ku e kaluara nuk përbën pengesë për të ardhmen e përbashkët.
Ajo shtoi se institucionet evropiane janë plotësisht të vetëdijshme për vuajtjet dhe sakrificat e njerëzve në atë pjesë të Evropës.
Forumi për Zgjerim është forumi i dytë vjetor i organizuar nga Komisioni Evropian me mikpritëse komisioneren Marta Kos, i cili mbledh zyrtarë të lartë të BE-së, liderë politikë të vendeve kandidate dhe përfaqësues të shoqërisë civile.
Ky është viti i dytë radhazi që asnjë përfaqësues i institucioneve të Kosovës nuk është ftuar të marrë pjesë në këtë forum.
