
Pas gjashtë muajsh bllokim, deputetët e legjislaturës së nëntë në Kuvendin e Kosovës zgjodhën më në fund kryetarin e ri të Kuvendit, Dimal Basha.
Megjithatë, institucioni ende nuk është konstituar plotësisht, për shkak të mosmarrëveshjeve për zgjedhjen e nënkryetarit nga komuniteti serb.
Edhe pse të martën u bë një hap pozitiv për tejkalimin e ngërçit disa mujor, me zgjedhjen e kryetarit dhe katër nënkryetarëve, procesi ngeci te posti i rezervuar për përfaqësuesin serb në Kryesinë e Kuvendit.
Lista Serbe propozoi tre herë kandidaturën e Slavko Simiqit për këtë post, por ai nuk mori mbështetjen e nevojshme nga deputetët. E njëjta gjë ndodhi edhe me tre kandidatë të tjerë nga komuniteti serb, të cilët gjithashtu nuk u votuan.
Për shkak të mungesës së konsensusit, seanca u ndërpre dhe Kuvendi pritet të mblidhet sërish të enjten, në përpjekje për të përmbyllur konstituimin e plotë të tij.
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka thënë se partia fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit nuk do ta votojë asnjë propozim të Listës Serbe për nënkryetar të Kuvendit.
Ajo ka thënë se shpreson që të enjten, kur do të mbahet seanca e radhës, partitë më të mëdha shqiptare të mos e lëshojnë rastin dhe ta votojnë ministrin në detyrë për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, si nënkryetar të Kuvendit të Kosovës.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka thënë se ndarja e votimit për zgjedhjen e nënkryetarëve të komuniteteve është bërë qëllimshëm nga Lëvizja Vetëvendosja.
Të martën deputetët përveç kryetarit, zgjodhën edhe katër nënkryetarë, Albulena Haxhiu e Lëvizjes Vetëvendosje, Vlora Çitaku e Partisë Demokratike dhe Kujtim Shala i Lidhjes Demokratike, të cilët u zgjodhën me shumicë votash.
Kuvendi i Kosovës konsiderohet i konstituuar vetëm pasi të zgjidhen të pesë nënkryetarët dhe më pas nis rrjedhja e afatit ligjor për formim të Qeverisë.
Seanca për finalizim të konstituimit do të vazhdojë të enjten në orën 11:00.



