
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka deklaruar se partia dhe ai personalisht kanë pritur një rezultat më të mirë në zgjedhje, duke theksuar se PDK-së i nevojitet një rezultat më i fortë.
Megjithatë, në konferencën për media të mbajtur një ditë pas zgjedhjeve, Hamza nënvizoi se PDK-ja ka arritur të ruajë votën dhe elektoratin e saj.
Ai bëri thirrje për konstituimin sa më të shpejtë të institucioneve të reja të vendit.
“Shpresoj që sa më parë të konstituohen institucionet. Vendi duhet të ketë institucione funksionale dhe të mos përballet më me vakum institucional.
Kreu i PDK-së tha se pozita që mban në parti mbart përgjegjësi dhe se ai nuk do të shmangë marrjen e tyre. Sipas tij, në ditët në vijim do të zhvillohen takime me strukturat e partisë, ku do të analizohen rezultatet dhe do të merren vendime.
“Këto ditë do të kemi takime me strukturat e partisë. Vendimet do të merren në kohë, të analizuara dhe të peshuara mirë. Sigurisht që nuk do të vonohem në vendimmarrje,” theksoi Hamza.
Ndërkohë, të dhënat preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) tregojnë se partitë opozitare kanë mbetur ndjeshëm pas në rezultat.
Sipas këtyre të dhënave, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka siguruar 21.01 për qind të votave, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) 13.59 për qind, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) 5.68 për qind.



