
Millosh Antoviç, i njohur me nofkën “Xhaja”, është dënuar me 5 vjet burgim dhe një gjobë prej 20 mijë eurosh, pasi pranoi fajësinë për përfshirjen në sulmet ndaj trupave të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës, të ndodhura më 29 maj 2023 në Zveçan.
Prokuroria Speciale dhe Antoviç kanë arritur një marrëveshje për pranim të fajësisë, të cilën ai e ka konfirmuar para gjykatësit, duke deklaruar se e ka kuptuar dhe pranuar përgjegjësinë, si dhe ka hequr dorë nga e drejta për një gjykim të rregullt dhe paraqitjen e dëshmitarëve apo provave.
Sipas aktakuzës së dorëzuar në Gjykatën Themelore të Prishtinës, ai ngarkohet me katër vepra penale: “Sulm ndaj personit zyrtar”, “Pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale, huliganizëm”, “Blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje e paautorizuar e narkotikëve”, si dhe “Posedim i paautorizuar i armëve”.
Aktakuza ndaj tij u ngrit më 30 korrik 2025, ndërsa Antoviç ndodhet në paraburgim që nga data 15 prill.
Sipas Prokurorisë, sulmi i 29 majit 2023 në Zveçan rezultoi me plagosjen e disa pjesëtarëve të KFOR-it dhe të Policisë së Kosovës, gjatë përleshjeve të dhunshme në veri të vendit.



