
Monumenti ikonik i pavarësisë së Kosovës, NEWBORN, është kthyer sërish në qendër të reagimeve qytetare në 18-vjetorin e shpalljes së pavarësisë.
Pas “burgosjes” simbolike me rrethoja hekuri dhe mbishkrimit “Kosova e burgosur!”, këtë mëngjes monumentit iu vendosën 5 mijë emblema magnetike të Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK).
Aktivistët e platformës ‘Liria ka Emër’, të cilët një natë më parë e rrethuan monumentin me hekura metalike duke e shndërruar në simbolikë burgu, sot e mbuluan atë me emblema të UÇK-së.
Eliza Hoxha nga organizata “Liria ka Emër” deklaroi se ky reagim qytetar është kundër asaj që ata e konsiderojnë padrejtësi nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, duke e cilësuar si tendencë për rishkrim të historisë dhe cenim të luftës për liri dhe të themeleve të shtetit.
Sipas saj, NEWBORN-i, simbol i 17 Shkurtit dhe i lindjes së Republikës, është përfshirë në këtë aktivitet për të pasqyruar ndjenjën e padrejtësisë që, sipas organizatorëve, po përjetohet nga qytetarët përballë proceseve gjyqësore në Hagë.
Kosova sot shënon 18-vjetorin e pavarësisë, ndërsa në paraburgim në Hagë ndodhen Hashim Thaçi, ish-president dhe kryeministër i Kosovës, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi, të cilët po përballen me proces gjyqësor në Dhomat e Specializuara.



