Ka nisur dita e tretë e deklaratave përmbyllëse në gjyqin kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputetit, Rexhep Selimi në Gjykatën Speciale, me seli në Hagë.
Ish-eprorët e UÇK-së akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, për të cilat të katërt janë deklaruar të pafajshëm.
Avokati i Thaçit, Luka Mishetiq, e ka nisur fjalën e vet duke deklaruar se ish-presidenti i Kosovës, është i pafajshëm dhe që kjo është pikënisja prej ku duhet të merret vendimi.
Ai ka kritikuar ashpër qasjen e Prokurorisë në proces duke thënë se ata po duan ta nxjerrin Thaçin fajtor, përderisa as udhëheqësit serbë nuk u dënuan për kontroll efektiv.
Deri më tani, jurisprudenca e tribunaleve ka konkluduar se NATO ka ndërhyrë ushtarakisht në Kosovë, në përgjigje të Ndërmarrjes Kriminale Serbe. ZPS-ja kërkon juve që UÇK-ja ishte ajo që kishte administratorja e një NPK-ja muaj apo vite më përpara, e jo marsi 1998. TPNJ ka konkluduar se ishte udhëheqësi serb, Milutinoviq, nuk kishte përgjegjësi penale në Kosovë, pasi ishte figurë politike që nuk pati kontroll në forcat e RFJ-së, dhe nuk ka dhënë kontribut të ndjeshëm në NPK.
ZPS-ja po kërkon nga ana e juaj të konkludoni pavarësisht se një udhëheqës serb i shtetit të organizuar nuk ka pasur përgjegjësi penale për krime të luftës e krime kundër njerëzimit, ju duhet të konkludoni se udhëheqësi i shqiptarëve të Kosovës, një grup i armatosur për disa muaj, ka pasur kontroll e përgjegjësi. Kjo do të ishte padrejtësi historike.
Kur t’i filloni kuvendimet tuaja, ju do të filloni nga qëndrimi se Hashim Thaçi është i pafajshëm dhe më pas ju do të vlerësoni nëse provat e paraqitura nga Zyra e Prokurorit të Specializuar ju kanë bindur juve, jashtë dyshimit të arsyeshëm, se Hashim Thaçi është fajtor.
Ju keni dëgjuar nga dëshmitarët ndërkombëtarë që kanë thënë se Hashim Thaçi nuk dyshohej për krime lufte, ndërkohë që këto ngjarje po ndodhnin dhe po zhvilloheshin.
Gjatë ditës së sotme pritet që ekipit mbrojtës i Hashim Thaçit t’i jepet fjala për paraqitjen e argumenteve përfundimtare.
Prokuroria, e cila tashmë i ka thënë të gjitha, ka kërkuar nga 45 vjet burgim për secilin të akuzuar, ndërsa ekipi për mbrojtjen e viktimave ka bërë thirrje që në vendim të dëgjohet zëri i tyre.
Prokuroria, mbrojtësi i viktimave, ekipet mbrojtëse dhe ish-krerët e UÇK-së, gjatë kësaj dhe javës së ardhshme kanë mundësi që për herë të fundit t'i drejtohen trupit gjykues me parashtrimet e tyre në këtë proces.
Pas përmbylljes së deklaratave, çështja do të kalojë te trupi gjykues.
Gjykatësit kanë tre muaj kohë që të marrin një vendim për çështjen, ose të kërkojnë zgjatjen e afatit për marrjen e vendimit.



