Komisioni Evropian ka konfirmuar heqjen e të gjitha masave financiare ndaj Kosova.
Lajmi u bë i ditur gjatë debatit për raportin mbi Kosovën në Parlamenti Evropian.
Përfaqësuesi i Komisionit Evropian, Jiri Plecity, deklaroi se ndihma financiare që më parë ishte pezulluar tashmë është liruar plotësisht, ndërsa Brukseli synon të riangazhohet me institucionet në Kosovë.
“Mund të konfirmoj se Komisioni Evropian ka liruar të gjithë ndihmën financiare që më parë ishte nën masa dhe po planifikojmë të riangazhohemi plotësisht me homologët tanë në Kosovë, në mënyrë që vendi të rikthehet në rrugën e duhur drejt agjendës së BE-së,” u shpreh ai.
Gjatë debatit u theksua gjithashtu se Kosova ka humbur një vit të rëndësishëm për shkak të ngërçit politik që ka karakterizuar vitin 2025.
Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian vuri në dukje se vendi ka qenë në një gjendje paralize politike, e cila ka ndikuar negativisht edhe në proceset reformuese dhe avancimin drejt integrimit evropian.
“Është për të ardhur keq që pasiguria dhe ngërçi politik kanë ngadalësuar ndjeshëm reformat e nevojshme që Bashkimi Evropian pret nga aplikantët, të cilat janë gjithashtu qartësisht jetike për vetë vendin. Ka shumë qartë fusha në të cilat Kosova ka bërë regres të ndjeshëm gjatë vitit të kaluar”, tha Riho Terras, raportues për Kosovën në PE.
Kjo marrëveshje, sipas përfaqësuesve evropianë, është edhe një dëshmi se dialogu sjell rezultate.
Në debat ishin të pranishëm edhe përfaqësues të institucioneve evropiane, të cilët përshëndetën marrëveshjen për Ligjin për të Huajt, të arritur ditë më parë në Prishtinë.
Normalizimi i marrëdhënieve, siç u tha, mbetet kusht kyç si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë për të përparuar në rrugën evropiane.
Masat ndaj Kosovës ishin vendosur në qershor të vitit 2023, si ndëshkim ndaj veprimeve të autoriteteve të Kosovës që BE-ja dhe disa partnerë të tjerë, si Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Republika e Shqipërisë, i vlerësuan si “veprime të njëanshme, të pakoordinuara, të cilat rrisin tensionet në veri të Kosovës”.
Këto masa ndëshkuese i kishin kushtuar Kosovës rreth 613.4 milionë euro në projekte të pezulluara ose të shtyra për afat të pacaktuar.



