
Arritja e marrëveshjes së minutës së fundit mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës, e cila i hapi rrugë zgjedhjes së akademikes Justina Shiroka-Pula në postin e Presidentes, ka sjellë analiza të rëndësishme mbi të ardhmen gjeopolitike dhe të brendshme të vendit.
I ftuar në studion e "MCN Live", drejtori i Institutit Shqiptar për Gjeopolitikë, Sadri Ramabaja, e ka cilësuar këtë zhvillim si një ngjarje me peshë të jashtëzakonshme për pajtimin e skenës politike.
Sipas Ramabajës, konsensusi i arritur mes forcave kryesore politike në vend, LVV, PDK dhe LDK, tregoi maturi dhe strategji të fuqishme, duke shmangur krizat institucionale dhe ndikimet e jashtme.
Pak para përfundimit të ditës së djeshme kemi kurorëzimin e një kompromisi historik, pajtim mes fraksioneve politike të llojit të vet, pas një beteje politike që kishte zgjatur prej 28 vitesh.
Në skenë ishin tri forcat politike LDK, LVV, PDK dhe aleanca, në këtë kuptim mbrëmë iu dha fund kësaj përplasjeje dhe u arrit me një strategji të fuqishme, falë idealizmit brenda këtyre forcave iu shmangëm kurthit që mund të vinte nga jashtë.
U zgjodh akademikja Justina me 81 vota si asnjë paraardhës i saj, me një kompromis historik dhe i hap rrugë të re zhvillimit dhe prosperimit të historisë së Kosovës.
Duke u ndalur te miratimi i ndryshimeve në ligjin për Dhomat e Specializuara – një pikë kyçe që u kalua paralelisht me marrëveshjen për presidentin, Ramabaja theksoi se procesi u zhvillua në rrethana të përshpejtuara, çka mund të ketë lënë hapësirë për gabime teknike.
Është instrumentalizuar simbolika e UÇK-së deri në fund. E përshëndes këtë zhvillim për ligjin, sepse ligji është hartuar dhe sjellë në rrethana të përshpejtuara dhe mendoj se mund të ketë edhe lëshime profesionale brenda tekstit.
Tashmë i mbetet Gjykatës Kushtetuese ta verifikojë dhe të ecë tutje. Por edhe nëse kthehet, ai do të përpunohet me një gjakftohtësi profesionale për ta korrigjuar më mirë.
Vëmendja kryesore e shtetit të Kosovës tani duhet të zhvendoset te mbrojtja institucionale, diplomatike dhe politike e historisë së saj.



