
Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka dështuar të sigurojë 61 votat e nevojshme në Kuvendin e Kosovës për të formuar Qeverinë e re, duke mos arritur kështu të nisë një mandat të dytë në pushtet.
Sipas analistit politik Afrim Kasolli, i cili foli për “MCN Live”, pas këtij dështimi, topi tani është në duart e presidentes Vjosa Osmani, e cila ka 10 ditë afat kushtetues për të gjetur një kandidat tjetër për kryeministër.
Presidentja, sipas Kushtetutës, ka dhjetë ditë për të konsultuar partitë politike dhe për të parë nëse ekziston një kandidat që mund të sigurojë shumicën parlamentare.
Nëse edhe kjo përpjekje dështon, rruga e vetme që mbetet janë zgjedhjet e parakohshme.
Kasolli vlerësoi se përtej aspektit juridik dhe kushtetues, problemi kryesor qëndron tek mungesa e vullnetit politik për krijimin e një shumice të re.
Në skenën politike shihet qartë mungesa e vullnetit për të ndërtuar një qeveri të re, qoftë nga Vetëvendosje, qoftë nga partitë e tjera.
Askush nuk po merr përgjegjësinë për ta udhëhequr këtë proces.
Sipas Kushtetutës, presidentja ka diskrecionin e plotë për të vendosur kujt ia jep mandatin për formimin e qeverisë, mund të jetë një emër nga LVV apo nga një subjekt tjetër parlamentar.
Kujtojmë rastin e vitit 2018, kur pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt, asnjë subjekt politik nuk mori përsipër formimin e qeverisë, duke çuar në shpalljen e zgjedhjeve të reja.
Nëse asnjë parti nuk shfaq interes për të marrë mandatin, presidentja nuk do të ketë alternativë tjetër përveçse të shpallë zgjedhje të jashtëzakonshme brenda afatit ligjor.
Sipas Kasollit, zhvillimet e fundit e bëjnë të pamundur krijimin e një shumice të re qeverisëse, andaj zgjedhjet duket se janë zgjidhja e vetme.
Mungon çdo lloj vullneti politik. Subjektet nuk kanë interes të marrin përsipër barrën e formimit të institucioneve të reja në një moment të tillë.
Prandaj, zgjedhjet e reja duken si rruga e vetme dhe e pashmangshme.



