
Netflix ka arritur një marrëveshje gjigante prej 72 miliardë dollarësh për të blerë bizneset e filmave dhe transmetimit të Warner Bros Discovery, duke krijuar një superfuqi të re në botën e argëtimit. Kompania fitoi garën përpara rivalëve Comcast dhe Paramount Skydance pas një procesi të gjatë ofertash.
Warner Bros mban disa nga franshizat më të famshme në botë, përfshirë Harry Potter, Game of Thrones, si dhe platformën e njohur HBO Max.
Netflix: “Jemi të sigurt për miratimin e marrëveshjes”
Sipas BBC, bashkëdrejtori ekzekutiv Ted Sarandos tha se Netflix është “shumë i sigurt” se marrëveshja do të miratohet nga autoritetet rregullatore dhe se kompania po lëviz “me shpejtësi të plotë” për ta finalizuar atë.
“Kombinimi i bibliotekës së Warner Bros me përmbajtjen tonë origjinale do të na ndihmojë të përcaktojmë shekullin e ardhshëm të tregimit të historive,” u shpreh Sarandos.
Edhe bashkëdrejtori tjetër, Greg Peters, theksoi rëndësinë e markës HBO, por tha se është ende herët për të zbuluar planin përfundimtar të integrimit të saj në platformën Netflix.
Netflix pret të sigurojë 2–3 miliardë dollarë kursime, kryesisht duke eliminuar pozicionet e mbivendosura në mbështetje teknike dhe operacionale.
Filmat e Warner Bros do të vazhdojnë të shfaqen në kinema, ndërsa studioja televizive do të vazhdojë të prodhojë edhe për palë të treta.
Sarandos pranoi se marrëveshja i ka surprizuar disa aksionerë, por e quajti atë një “mundësi të rrallë” që garanton sukses afatgjatë për Netflix.
Oferta vlerësohet me 27.75 dollarë për aksion të Warner Bros, ndërsa vlera totale e kompanisë – duke përfshirë borxhet – shkon në 82.7 miliardë dollarë.
Të dy bordet e kompanive e kanë miratuar marrëveshjen njëzëri.
Finalizimi do të bëhet pasi Warner Bros të ndajë bizneset e saj në dy njësi:
Discovery Global, që përfshin CNN, TNT Sports dhe kanalet evropiane të Discovery,
dhe divizioni i studios e transmetimit, që i shitet Netflix-it.
Ekspertët e industrisë thonë se kjo është një lëvizje që do të tronditë Hollywood-in. Paolo Pescatore e quajti marrëveshjen “një deklaratë të qartë ambiciesh”, por paralajmëroi për sfida gjatë bashkimit të dy gjigantëve.
Analisti Tom Harrington parashikon ulje të ndjeshme në prodhimet filmike dhe televizive, si dhe kundërshtime nga sindikatat.
Ai shtoi se konsumatorët mund të përballen me rritje çmimesh, pasi Netflix do të ketë më shumë ndikim në treg.
Danni Hewson nga AJ Bell tha se Netflix ka “ofruar një degë ulliri” për Hollywood-in duke premtuar se filmat e Warner Bros do të vazhdojnë të shfaqen në kinema.
Sindikata e regjisorëve të SHBA-së ka paralajmëruar se ka “shqetësime serioze” për bashkimin dhe ndikimin e tij tek punëtorët e industrisë.



