
Aktori dhe dubluesi i njohur brazilian Tony Germano, i cili i huazoi zërin projekteve të Netflix, Nickelodeon dhe Disney, ka ndërruar jetë në moshën 55-vjeçare pas një rrëzimi në banesën e tij në São Paulo, kanë konfirmuar përfaqësuesit e tij.
Sipas mediave lokale, Germano po inspektonte punimet e rinovimit të çatisë kur humbi ekuilibrin dhe ra fatalisht. Ai po qëndronte në shtëpinë e prindërve në Brazil në momentin e aksidentit.
Në një deklaratë, përfaqësuesi i tij tha se aktori “lë pas një trashëgimi përkushtimi, bujarie dhe talenti të jashtëzakonshëm”, duke shtuar se “mungesa e tij do të ndihet thellë” nga familja, miqtë dhe kolegët.
Germano u bë i njohur për rolet e tij të dublimit në “Nicky, Ricky, Dicky & Dawn, Go, Dog, Go!”, si dhe në versionin portugez të “Beauty and the Beast”. Ai kishte një karrierë të pasur edhe në teatër, me role në “The Phantom of the Opera”, “Miss Saigon” dhe “Jekyll & Hyde”. Së fundmi ai interpretoi në filmin “Labyrinth of Lost Boys” (2025).
Homazhe për aktorin kanë vërshuar në rrjetet sociale, ku kolegët e kanë përshkruar si një profesionist të rrallë dhe njeri të dashur. Regjisori Matheus Marchetti e quajti “një shpirt tepër bujar” dhe “figurë atësore” gjatë xhirimeve.
Ceremonia mortore u mbajt të enjten në Bosque da Paz, në Vargem Grande Paulista.



